Connect with us

Religjion

Edukata e të dëgjuarit aktiv në bisedat tona

Published

on

Hfz. Mehas Alija

“Njëherë një njeri i urtë i tha të birit të tij: ‘Biri im, mësoje edukatën e të dëgjuarit, ashtu siç e mëson edukatën e të folurit. Prej edukatës së të dëgjuarit është që t’i japësh kohë bashkëbiseduesit tënd të mbarojë fjalën. Gjithashtu, sillu me fytyrë nga ai dhe shikoje në sy. Mos ndërhy në bisedë edhe në qoftë se ti e di atë që ai po e tregon.”[1]

Kjo thënie me plot urtësi thekson rëndësinë e dëgjimit aktiv, empatisë dhe edukatës në komunikim. Dëgjimi aktiv është një aftësi kyçe dhe shumë e rëndësishme për një bashkëbisedim dhe komunikim efektiv. Kur i japim kohë bashkëbiseduesit të përfundojë mendimin e tij, tregojmë respekt dhe vlerësim për fjalët dhe mendimet e tij. Kjo krijon një ambient të hapur dhe të sinqertë, ku mendimet respektohen dhe mund të shkëmbehen lirshëm dhe pa frikë nga ndërprerjet e panevojshme.

Imami i nderuar nga gjenerata e tabiinëve, Ata ibn ebi Rabah r.a. tregon: “Kur një djalë i ri flet për diçka, unë e dëgjoj me vëmendje, sikur nuk e kam dëgjuar kurrë atë bisedë, ndërkohë që unë e kam dëgjuar atë ndodhi përpara se ai të kishte lindur.”[2]

Ndër këshillat e urtarëve tanë thuhet edhe kjo se “prej edukatës jo të mirë, jo të hijshme, është edhe teprimi i njeriut në të folur dhe ndërprerja e bisedës së tjetrit.”[3]

Dëgjimi me kujdes i tjetrit është art në vete dhe kërkon përqendrim, empati dhe respekt. Një aspekt kyç dhe shumë i rëndësishëm i dëgjimit aktiv është edhe kontakti vizual. Kur shikojmë bashkëbiseduesin në sy dhe sillemi me fytyrë nga ai, tregojmë vëmendje dhe angazhim në bisedë. Ky kontakt forcon lidhjen mes folësit dhe dëgjuesit, dhe ndihmon në ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit reciprok.

Mos ndërhyrja në bisedë është po ashtu një shenjë e respektit dhe durimit. Edhe nëse dimë çfarë do të thotë tjetri, është e rëndësishme të lejojmë që ai të përfundojë fjalën e tij. Kjo tregon që jemi të gatshëm të dëgjojmë plotësisht dhe të kuptojmë perspektivën e tjetrit pa e ndërprerë apo imponuar mendimet tona.

Cilat do të ishin shenjat dhe veprimet më tipike, klasike dhe te reja, që tregojnë se nuk dëgjohet tjetri dhe nuk çmohet komunikimi? Në këtë aspekt, disa mund të jenë të dukshme dhe më tradicionale, ndërsa të tjerat janë më bashkëkohore, shpesh të lidhura me teknologjinë. Ja disa sjellje që tregojnë mungesën e dëgjimit aktiv dhe të respektit në komunikim: Ndërprerja e bisedës, mungesa e kontaktit me sy, mos reagimi emocional, përhumbja gjatë bisedës dhe vonesa në përgjigjet relevante, përdorimi i telefonit, multitaskingu apo shikimi i televizorit gjatë bisedës, shikimi i orës shpesh, mungesa e angazhimit në bashkëbisedim, si dhe shpërqendrimi i vazhdueshëm, duke u marr me gjëra irelevante në ambient.

Pra, edukata në komunikim nuk përfshin vetëm aftësinë për të folur mirë, por edhe për të dëgjuar me vëmendje dhe respekt. Dëgjimi aktiv është një aftësi e çmuar që ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe të kuptueshme me të tjerët. Kjo na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të mirë dhe më të harmonishme, ku secili individ ndihet i dëgjuar dhe i vlerësuar. Kështu, dëgjimi aktiv dhe respekti në komunikim janë thelbësore për një bashkëjetesë të suksesshme dhe për të krijuar lidhje të thella dhe të qëndrueshme mes njerëzve.

Dëgjimi është një akt dashurie dhe respekti dhe kur dëgjojmë, mësojmë gjithnjë gjëra të reja.


[1] Ebu Gudde, Edukata Islame, Myftinia Shkodër 2014, fq. 89.

[2] Po aty, fq. 88.

[3] Po aty, fq. 91

NA NDIQ NË FACEBOOK