Religjion
“Njerëzit që do jenë më larg meje janë ata që flasin kot dhe janë arrogant”
Të mos mendojmë se feja është vetëm të falesh, të agjërosh, të lexosh Kuran, të japësh zeqatin, të kryesh haxhin dhe të thuash dëshminë dhe këtu përfundon gjithcka.
Këto adhurime janë obligime që kanë të bëjnë me raportin tonë me Zotin për të cilat ne do të japim llogari para Atij, mirëpo ne nuk do të korrim frytet e këtyre adhurimeve dhe nuk do ti realizojmë qëllimet e tyre nëse adhurimet që kanë të bëjnë me sjelljen tonë të përditshme ndaj njerëzve nuk janë në rregull.
Adhurimet e mësipërme nuk do të jenë në rregull nëse jemi të padrejtë ndaj njerëzve, nëse ofendojmë, mashtrojmë, gënjejmë, shpifim dhe nënçmojmë e tallim njerëzit tjerë.
Feja është edhe ruajtja e gjuhës, ulja e shikimit, aktiviteti jonë në bamirësi, pastërtia jonë, sjellja e bukur ndaj prindërve, farefisit dhe njerëzve në përgjithësi. Me një fjalë, feja është ahlaku, karakteri, morali ndërsa këtë na e vërteton fjala e Pejgamberit a.s. i cili ka thënë: “Njerëzit që do të jenë më afër meje në Ditën e Gjykimit janë ata që kanë moralin më të bukur, ndërsa njerëzit që do jenë më larg meje do të jenë ata që bëjnë zhurmë dhe flasin kot si dhe ata që janë arrogant e kryelartë. (Tirmidhiu)
Mustafa Mahmud
Përshtati: Arsim Dauti