OP / ED
Mos manipuloni! – Shkruan: Izet Mexhiti, kryetar i LD-së
Shkruan: Izet Mexhiti, kryetar i LD-së
Makineria propagandistike e Artan Grubit dhe Bujar Osmanit nuk ndalet! Ata populli i dënoi me votë për shkak se në vend se të bëjnë punë, talleshin me shqiptarët dhe luanin futboll nëpër zyrat e minisrtive. Tani, nga dëshpërimi, në prag të formimit të qeverisë së re, Artani dhe Bujari, bashkë me megafonët e tyre, po shtrembërojnë të vërtetën dhe po përhapin dezinformata.
Nuk e merr Ivan Stoilkoviqi Ministrinë për sistem politik dhe as për Marrëveshjen e Ohrit! Stoilkoviqi është propozuar Ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, ndërsa kjo Ministri që është themeluar në vitin 2008, deri vonë kishte në ingerenca mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e grupeve etnike më të vogla se 20%, pra, ingerenca në avancimin e të drejtave të turqve, serbëve, boshnjakëve, romëve dhe të tjerëve.
Pra, kjo Ministri nuk merret me të drejtat e shqiptarëve, as nuk i kufizon, as nuk i avancon ato. Të drejtat e shqiptarëve janë të mbrojtura dhe të garantuara me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit. Si popull i dytë shumicë, shqiptarët përfaqësohen me më shumë ministri dhe portofole në kabinetin qeveritar. Ndërsa me riorganizimin e ministrive të cilin e votoi edhe BDI-ja, edhe kjo Ministri e 20 përqindëshit për të cilën flasin Artani dhe Bujari do të pësojë transformim.
Prandaj, mos u merrni me dezinformatat dhe shtrembërimin e fakteve të cilat i prodhojnë laboratoret propaganduese të Artanit dhe Buarit. Qeveria e re do të kompletohet së shpejti. VLEN do të hapë një kapitull të ri të qeverisjes. Politika e vjetër e demagogëve po shkon në histori. Po vjen politika e re e punës dhe pëgjegjësisë ndaj institucioneve dhe qytetarit.