OP / ED
Përfaqësimi i grave, as për sy e faqe
SHKRUAN: HEROLINDA RAMADANI
Në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimi i grave në poste udhëheqëse është ende një problem serioz. Po, kemi një presidente grua, por e gjithë kjo duket më shumë si një shaka e hidhur. Presidentja jonë është kaq e moshuar, inkompetente, sa ndonjëherë nuk di as emrin e shtetit që drejton (si thuani, a duhet të fusim një kurs të shpejtë gjeografie në agjendën presidenciale?).
Është ironike, apo jo? Për shumë vite, Maqedonia e Veriut nuk ka pasur kurrë një presidente femër dhe tani që më në fund kemi një, ajo duket sikur ka ardhur direkt nga një epokë tjetër. Ndërkohë, vajza dhe gra të reja, të afta dhe plot energji, që mund të kishin sjellë një ndryshim të vërtetë, mbeten në hije.
Po, sepse ndërsa festojmë këtë “arritje”, realiteti është që përfaqësimi i grave në vendimmarrje ende mbetet një sfidë e madhe. Duhet të kalojmë nga simbolika tek përfshirja e vërtetë dhe efektive e grave në udhëheqje. Sepse, në fund të ditës, nuk është vetëm çështje e të pasurit një grua në krye, por të pasurit gra të afta dhe të përgatitura që mund të sjellin ndryshime reale.
Dhe për të qenë të qartë, nuk po përqeshi gratë e moshuara. Respekti për moshën dhe përvojën është i rëndësishëm. Por nëse dikush nuk është kompetent për të mbajtur një post të caktuar, atëherë nuk duhet të jetë aty. Të qenit grua ose të qenit e moshuar nuk duhet të jenë faktorët vendimtarë. Kompetenca, energjia dhe vizioni janë ato që duhet të udhëheqin përzgjedhjen e liderëve tanë.
Pra, le të shohim përtej fasadës dhe të punojmë për një të ardhme ku vajzat/gratë nuk duhet të presin gjysmëshekulli për të parë një nga poste kyçe, dhe kur ta bëjnë, të jenë vërtetë përfaqësuese të gjeneratës së tyre.