Connect with us

Shqipëri

FOTOT+VIDEO/ Në qytetin që krijoi Pirro i Madh i Epirit!

Published

on

Në vitin 295 para Krishtit në këtë rrugë të Antigonesë ecnin njerëz.

Në qytetin që krijoi Pirro i Epirit!

Ishte rruga kryesore e qytetit. Anash janë shtëpitë e aristokratëve, diku më tutje zejtarët, përballë kisha. Tani dëgjohet vetëm zhurma e zogjve dhe shihet një natyrë e jashtëzakonshme, e cila ka qenë kështu edhe në vitin 295 para Krishtit kur Pirro i Epirit krijoi këtë qytet në nder të dashurisë së tij të madhe, gruas së tij të parë. Një qytet që u dogj 150 vjet më pas. Një qytet me pak vite jetë, por gjithçka është aty për ta treguar; historinë, qytetërimin, lashtësinë, përkatësinë identitetin, e Pirros së Madh të Epirit, i cili është pjesë e historisë sonë.

Në qytetin që krijoi Pirro i Epirit!

Ndaj shkoi edhe gazetarja Rudina Xhunga me stafin e DritareTV për të treguar këtë pjesë të historisë sonë. Po të shkosh në Antigone historia të merr përdore, të shëtit dhe të thotë; E shikon sa i lashtë, sa i pasur dhe i jashtëzakonshëm je? E shikon çfarë përkatësie ke ti shqiptar?

Ky emision i kushtohet arkeologjisë, por në shërbim të turizmit sepse vende të tilla duhen bërë pjesë e hartës turistike, të njerëzve që venë në Gjirokastër dhe nuk venë në Antigone se thonë është larg. Larg nuk është, është thjeshtë viti 295 para Krishtit.

Në qytetin që krijoi Pirro i Epirit!

Antigoneja është vetëm 14 kilometra nga Gjirokastra, rruga është e shtruar, parku është 44 hektarë që mund ta përshkruash me këmbë dhe të kënaqesh me natyrën. Gjatë një bisede me Rudina Xhungën, Engjëll Serjani, gazetar dhe ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë thotë se identifikimi i Antigonesë u bë falë punës së jashtëzakonshme të arkeologut të njohur Dhimosten Budina që zbuloi 14 teserat e votimit që i dhanë emrin qytetit.

Në qytetin që krijoi Pirro i Epirit!

“Antigoneja është një qytet antik. Interesante e bën urbanistika që është shumë moderne, qytet me trotuare që sot mungojnë. Urbanistika e qytetit ka pamjen e një kutie shahu. Në Antigone janë tri kisha paleokristiane, të fillimeve të Krishtërimit. Për një turist është shumë interesante. E dyta që e bën interesante është historia e krijimit të Antigonesë. Është një histori dashurie. Pirroja i Epirit që bëri këtë qytet kaq të bukur i vuri emrin e dashurisë së tij të parë. Të dyja këto elemente janë shume interesante, për çdo vizitor nga çdo cep i botës.

Në qytetin që krijoi Pirro i Epirit!

Emri i qytetit u zbulua nga 14 tesera votimi. Sepse këtu gjërat funksionin me demokraci të drejtpërdrejtë. Bëheshin edhe dy referendume në ditë, për të bërë një kanal, rrugë. Këto teserat e votimit ishin objekte të përhershme në duart e banorëve me anë të të cilave ata votonin. Në ato tesera votimi shkruhej Antigonon, pra që e kishin të drejtën vetëm antigonasit, banorët e këtij qyteti për të votuar në këto referendume. Këto 14 tesera u zbuluan nga arkeologu i madh Dhimosten Budina dhe përmes tij u identifikua qyteti. Nuk dihej deri atëherë që ekzistonte një qytet me emrin Antigone.”, thotë zoti Serjani.

Në qytetin që krijoi Pirro i Epirit!

Antigoneja ka nevojë për muzeume thotë gazetari, për të vendosur gjithë ato objekte të shenjta që janë gjetur në Antigone, nga rrota e qerres, guri i peshës, etalonët, mulliri që bluanin drithëra dhe të tjera objekte artistike që u gjetën pas shumë shekujsh.

“Do të ishte e jashtëzakonshme nëse do kishte muzeume këtu në Antigone. Janë gjetur shumë objekte të çmuara arkeologjike që flasin për identitetin tonë.”, thotë zoti Serjani.Ka ardhur koha që këto vende të hapen më shumë për turistët, për ne që kërkojmë identitet, kudo ku jemi dhe vijmë në Gjirokastër, është Antigoneja që na thërret.

Falënderojmë Ëngjel Serjanin, gazetar dhe ish-drejtori Antigonesë dhe arkeologu prof. Dr Dhimitër Çondi që na shoqëruan në këtë emision për të treguar Antigonenë, duke e bërë më të bukur tregimin për historinë./dritare