Connect with us

Religjion

Hutbe: A jemi të kënaqur?

Published

on

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë edhe mbi dëshmorët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Sot, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: A jemi të kënaqur?

Jeta në këtë botë nuk është pa probleme dhe vështirësi. Mirëpo, njeriu i sotëm, edhe kur nuk ka probleme apo vështirësi të mëdha, ai mezi është i kënaqur. Sot nuk është i kënaqur i varfri, por nuk është as i pasuri, nuk është i kënaqur burri me gruan, por as gruaja me burrin, fëmijët nuk janë të kënaqur me prindërit, por as prindërit me fëmijët, profesorët me nxënësit, as nxënësit me profesorët, etj. … Në përgjithësi, ne po jetojmë në një vend që është projektuar në një mënyrë që të ketë shumë të pa kënaqur.

Për atë se çka është kënaqësia, përkufizim të bukur ka dhënë dijetari Ibn Haxheri, i cili për kënaqësinë thotë se është “qetësimi i shpirtit me përcaktimin.” (Fethul-Bari, 11/187)

Kjo është përmendur edhe në hadithin e Ebu Hurejres (r.a.) i cili transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë:

“Ji i kënaqur me atë që Allahu të ka caktuar, do të jesh njeriu më i pasur.” (Tirmidhiu, 2305, Ibn Maxhe, 4217)

Kënaqësia, siç thonë dijetarët islam është tre llojesh:

(1) e detyrueshme,

(2) e dëshirueshme dhe

(3) e ndaluar.

1. Lloji i parë i kënaqësisë është kënaqësia e detyrueshme

Ajo është kënaqësia me Allahun e Plotfuqishmin, me të Dërguarin e Tij dhe me Islamin. Nga Ibn Abbasi (r.a.) transmetohet se e ka dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë:

“Ëmbëlsinë e imanit (besimit) do ta ndjejë ai i cili është i kënaqur me Allahun si Zoti i tij, me Islamin si fe, dhe me Muhamedin si pejgamber.” (Muslimi, 34; Tirmidhiu, 2623)

Vëllezër të dashur!

Si mund të bëhemi të kënaqur me Allahun, me të Dërguarin e Tij dhe me Islamin? Për këtë na përgjigjet Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:

 “Allahu është i kënaqur me ta, por edhe ata do të jenë të kënaqur ndaj Tij. Ata janë ithtarë të (rrugës së) Allahut, e ata, ithtarët e Allahut, me siguri, janë fitues.” (el-Muxhadele, 22)

Ky ajet është shpallur për Ebu Ubejde Amir bin Abdullah bin el-Xherrah, i cili në betejën e Bedrit e vrau babain e tij. Në vend të zgjedhjes anës së babait (mushrikëve), ai e zgjodhi anën e Allahut, të Pejgamberit Tij dhe Islamit. (Ibn Kethiri, Tefsiri, fq. 1356)

2. Lloji i dytë i kënaqësisë është kënaqësia e dëshirueshme

Ajo është kënaqësia me vështirësitë, si varfëria dhe sëmundjet. Kjo kënaqësi nuk duhet të ngatërrohet me durimin në vështirësi, sepse kënaqësia në vështirësi është në një nivel më të lartë sesa durimi i zakonshëm. Por, si mund të jetë njeriu i kënaqur me vështirësitë? Një përgjigje të bukur për këtë e gjejmë te Ibni Kajjimi: “Disa njerëz nuk e kanë të qartë se si mund të lidhet kënaqësia dhe dhimbja. Ata mendojnë se kjo është absurde, por gabojnë. I sëmuri me kënaqësi e merr ilaçin e hidhur i cili i shkakton pakënaqësi. Agjëruesi gjatë muajit ramazan në nxehtësinë më të lartë ndjen vështirësi, por është i kënaqur. Një njeri koprrac, e ndan nga pasuria e tij zekatin, por është i kënaqur. Dhimbja, sikur që nuk e përjashton durimin, nuk e përjashton as kënaqësinë.” (Medarixhus-salikin, fq. 152)

Kur Allahu e do dikë, Ai i jep atij fatkeqësi. Në hadithin e Enes bin Malikut (r.a.), mund të shihet se në vështirësi njihen trimat. Pejgamberi (savs) ka thënë:

“Kur Allahu i do disa njerëz, Ai i vë në sprovë, dhe kush është i kënaqur me Të, atij i takon kënaqësia, ndërsa kush zemërohet me Të, atij i takon zemërimi.” (Tirmidhiu, 2396, Ibn Maxhe, 4031)

Nga ky hadith, ndër të tjera, shihet qartë se duhet të bëhet dallimi i kënaqësisë para kaderit dhe (pa) kënaqësisë pas kaderit. Këtu është fjala për kënaqësinë e cila vjen pasi që të ndodh ajo që është e përcaktuar (kader), dhe jo para saj, sepse kënaqësia e tillë qëndron në vendosmërinë për të qenë i kënaqur. Mirëpo, kur të ndodh ajo që është e përcaktuar për të ndodhë, atëherë ndodh që kjo kënaqësi të zhduket. Prandaj, Pejgamberi (savs), ka bërë lutje që të jetë i kënaqur pasi që diçka të ndodhë.

Ajo që është e përcaktuar mund të shmanget me dy gjëra: duke bërë lutje që të ndodhë ajo që është më e mira, dhe me kënaqësi pasi që të ndodhë ajo që është përcaktuar për të ndodhë. Lumturia e njeriut reflektohet në kombinimin e këtyre dy gjërave. (Ibn Kajjim, Igathetul-lehefan min mesaidish-shejtan, fq. 54)

3. Lloji i tretë i kënaqësisë është kënaqësia e ndaluar

Ajo është kënaqësia me mosbesimin, me shthurjen, me mëkatin… Dijetarët janë të pajtimit se me këto nuk guxojmë të jemi të kënaqur, sepse Allahu me to nuk është i kënaqur:

“Ai (Allahu) nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet…” (ez-Zumer, 7)

Gjithashtu edhe:

“Ata ju betohen juve, që të jeni të kënaqur me ta. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ta, Allahu, me siguri, nuk është i kënaqur me popullin ngatërrestar.” (et-Tevbe, 96)

Abdullah bin Shumejjit transmeton nga babai i tij se ka thënë: “Është thënë: ‘Kush e pëlqen shthurjen, ai është nga pjesëmarrësit e saj! Kushdo që është i kënaqur me mëkatet ndaj Allahut, veprat e Tij nuk do të pranohen.” (Ebu Nuajm, Hiljetul-Evlija, 3/130)

Allahu i Plotfuqishëm, kur i përshkruan robërit e Tij të ndershëm, thotë:

“Kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirën dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre…” (el-Feth, 29)

I lutemi Allahut të Lartëmadhërishëm që të na dhurojë mundësinë të jemi të kënaqur me Të, me Pejgamberin e Tij dhe me Islamin, e po ashtu që edhe Ai të jetë i kënaqur me ne. Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK