Connect with us
SYLA GROUP

Religjion

Hixhreti nga ne e kërkon betimin tonë

Published

on

Muslimani është vazhdimisht në luftë. Shejtani e sulmon nga të gjitha anët dhe me të gjitha mjetet. Ai i mallkuari ka vetëm një qëllim: ta mashtrojë njeriun, ta shtyjë në rrugën e gabuar dhe ta çojë drejt një vuajtjeje të përjetshme. Allahu i Lartësuar na paralajmëron, na flet për këtë qëllim të shejtanit dhe na tërheq vërejtjen se shejtani është armiku ynë, prandaj ta konsiderojmë si të tillë. Njeriu është trup dhe shpirt. Lufta e tij e vazhdueshme është që ta arrijë dhe ta ruajë ekuilibrin midis dynjasë dhe ahiretit. Shejtani e zbukuron mëkatin, e zbukuron dynjanë dhe na nxit që bërjen e të mirës ta shtyjmë për nesër.

Muslimani e di, sepse e ka lexuar në shpallje, se obligimet duhet të kryhen me kohë dhe se çdo shtyrje mund të jetë fatale. Pejgamberin (a.s.) e pyetën: “Cila është vepra më e mirë?” Ai u përgjigj: “Namazi në kohën e tij.” Sigurisht, këtu nuk mendohet vetëm për faljen e namazit brenda kohës së caktuar, por edhe që njeriu të fillojë të falet në kohën e duhur të jetës. Koha për namaz është nga mosha shtatë vjeçare.

Ne e festojmë hixhretin dhe ai na e kujton betimin Pejgamberit, të cilin ia dhanë nën pemë ata që e fituan kënaqësinë e Allahut. Ata iu betuan atij për bindje në lidhje me luftën. O i Dërguari i Allahut, edhe ne po betohemi duke hyrë në muajin Muharrem se nuk do të gjunjëzohemi në luftën kundër shejtanit.

Muslimani është i bindur ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe ndaj Pejgamberit (a.s.) dhe pa hezitim i zbaton urdhrat e tyre. Ai e bën këtë edhe në shtëpi edhe në udhëtim, edhe në shëndet edhe në sëmundje, edhe në vështirësi edhe në rehati, edhe kur është mirë edhe kur është keq. Nuk është sekret – të gjithë e dimë – se të gjithë njerëzit, kur janë në vështirësi dhe telashe, kërkojnë ndihmë nga Krijuesi i botëve dhe lutën për zgjidhje. E tillë është natyra njerëzore. Madje, siç na thotë Allahu i Lartësuar, edhe ata që ishin aq mendjemëdhenj saqë e konsideronin veten zot, në vështirësi i luteshin Atij me përulësi. Pejgamberi (a.s.) na udhëzon se si të sillemi drejt dhe si ta fitojmë kënaqësinë e Allahut. Ai ka thënë: “Përkujtoni Allahun kur jeni mirë, që Ai t’ju përkujtojë juve kur të jeni në vështirësi.”

Na erdhi hixhreti. Ata me të cilët Allahu është i kënaqur dhe që u betuan nën pemë, me atë betim e pranuan se bindja dhe përulësia do të jenë rruga e tyre. O i Dërguari i Allahut, duke hyrë në muajin Muharrem, edhe ne të betohemi se do të jemi të bindur ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, dhe pa asnjë vështirësi do të jetojmë sipas asaj që na është urdhëruar. Këtë nga ne e kërkon hixhreti.

Muslimani i qaset pa interes rrugës së të mirës dhe për të mirën. Ai e di se dynjaja është jetë e shkurtër dhe se, nëse nuk jetohet në bindje ndaj Allahut, është kohë e humbur. Po, për kohën betohet Krijuesi, se njeriu është në humbje, përveç atij që beson dhe bën vepra të mira. Ata që erdhën nën pemë për t’iu betuar Pejgamberit (a.s.), u obliguan për vetmohim dhe bujari. U zotuan se, brenda mundësive të tyre, do të punojnë për të mirën e shoqërisë dhe shtetit, dhe se nga ajo që janë furnizuar, do t’i ndihmojnë të dëmtuarit dhe nevojtarët.

Po hyjmë në muajin Muharrem, na ka ardhë hixhreti, na ka ardhë për të na treguar për njerëzit me të cilët Allahu është i kënaqur, dhe që të na nxisë edhe neve, që t’i betohemi Pejgamberit (a.s.) dhe të zotohemi se do të garojmë në vepra të mira dhe do të zbukurohemi me bujari.

Vëllezër të dashur!

Nuk është gjë e vogël fjala e mirë, nuk është pak ta largoshë një pengesë nga rruga, nuk është gjë e vogël ta ndihmoshë vëllain apo fqinjin. Nuk ekziston vepër e mirë e parëndësishme. Pejgamberi (a.s.) na ka treguar për një grua, e cila duke i mbledhur-pastruar troshat nga xhamia, e ka fituar Xhenetin. Na ka treguar, edhe për një mëkatare, e cila duke e shpëtuar një qen të etur, e ka shpëtuar veten. Na ka treguar, edhe për një njeri, të cilin e ka parë në Xhenet, sepse ai largonte pengesa nga rruga.

Muslimani ruhet nga e drejta e tjetrit. I intereson shumë që të mos uzurpojë asnjë të drejtë dhe të mos i bëjë askujt padrejtësi. Pejgamberi (a.s.) na ka paralajmëruar: “Kush e merr të drejtën e tjetrit, atij i takon Zjarri dhe i është ndaluar Xheneti.” Sahabët e pyetën: “A edhe nëse ajo është diçka e vogël?” Pejgamberi (a.s.) u përgjigj: “Qoftë edhe një degë e vogël e pemës së hidhur erak.” Pejgamberi (a.s.) u takua në Akabe, nën pemë, me njerëz me të cilët do të duhej ta themelonte shtetin kur të arrinte në Medinë. Askush nuk e ka ndërtuar dhe forcuar një shtet as nuk i ka bërë të lumtur banorët e tij, nëse në atë shtet ka pasur të dëmtuar, të palumtur dhe nëse ka pasur njerëz të privilegjuar dhe mbi ligjin. Prandaj u kërkua nga ata, që të betohen se nuk do ta shkelin të drejtën e askujt dhe nuk do ta dëmtojnë askënd.

Vëllezër të dashur!

Duke hyrë në muajin Muharrem, duke e shënuar hixhretin, për lumturinë tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, le t’i betohemi Pejgamberit (a.s.), se nuk do ta shkelim të drejtën e askujt dhe nuk do ta dëmtojmë askënd me vetëdije dhe me qëllim. Këtë nga ne e kërkon hixhreti.

Muslimani kudo dhe gjithmonë e flet të vërtetën. Allahu i Plotfuqishëm e kërkon këtë nga ne edhe atëherë kur nuk është në interesin tonë apo më të afërmve tanë. “Gënjeshtra është porta e hipokrizisë” ka thënë Pejgamberi (a.s.). Kush mund të ndërtojë një shoqëri normale, të shëndetshme dhe të qëndrueshme me njerëz hipokritë dhe të pasinqertë? Askush! Prandaj, Pejgamberi (a.s.) kërkoi nga grupi nën pemë që të betoheshin se sinqeriteti dhe dashuria për të vërtetën do të jenë rruga dhe zgjedhja e tyre – dhe ashtu ishte. Prandaj ata ishin aq të fortë, që të kalonin nga një fitore në tjetrën dhe të ishin të respektuar e të nderuar jo vetëm nga miqtë, por edhe nga armiqtë.

Duke hyrë në muajin Muharrem, me të cilin na vjen hixhreti, edhe ne, le të angazhohemi se gjithmonë do ta flasim të vërtetën dhe do të luftojmë për të vërtetën, sado e vështirë apo sfiduese që të jetë ajo. Le ta dimë se çdo rrugë tjetër është më e vështirë, sepse nuk sjell sukses – dhe askush nuk e përballon lehtë dështimin. Jam i sigurt se të gjithë ne, edhe si individë edhe si shoqëri, e synojmë suksesin. Në këtë rrugë, të betohemi, o i Dërguari i Allahut, se do ta flasim të vërtetën dhe për të vërtetën do të luftojmë, sepse kjo është e vetmja rrugë për të jetuar të lumtur këtu në këtë botë, dhe për të qenë të shpëtuar në botën tjetër, në shoqërinë e robërve të sinqertë të Allahut. Ata që ishin nën pemë iu betuan Pejgamberit (a.s.) se do të luftojnë në rrugën e së vërtetës dhe do t’i promovojnë vlerat e fesë sonë pa frikë nga askush.

Edhe ne, o i Dërguari i Allahut, besojmë se vlerat e fesë sonë janë të patjetërsueshme, dhe duke hyrë në muajin Muharrem, e lusim Allahun e Lartësuar, që të na bëjë të fortë dhe të vendosur në rrugën e drejtë dhe, që të jemi të paepur në jetesëimin dhe përhapjen e fjalës së Tij dhe të sunetit të Pejgamberit (a.s.) Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK