Connect with us

Religjion

Hixhreti ynë quhet teube

Publikuar

më

Fjala “hixhret” në aspektin gjuhësor do të thotë të largohesh apo ta braktisësh vendin e banimit, të shpërngulesh nga një vend në tjetrin. Në kontekstin historik, “hixhxhreti” i referohet ngjarjes së vitit 622, ngjarjes së shpërnguljes së sahabëve dhe të Pejgamberit (a.s.) nga Meka në Medinë. Me termin “hixhret” nënkuptohet vetëm kjo ngjarje, sepse asgjë tjetër nuk mund të krahasohet dhe nuk e ka vlerën që ka kjo ngjarje në historinë e Islamit.

Për arsye që tashmë na janë të njohura – sepse shpesh kemi dëgjuar për hixhretin e Pejgamberit dhe të sahabëve të tij – ata u detyruan ta braktisin Mekën dhe të shkojnë në Medinë. Ata nuk u gëzuan për këtë largim – ishin të detyruar për të. I rezistuan aq sa mundën, por kur u bë e pamundur ta jetonin Islamin në Mekë, ata u larguan. Gjatë gjithë kohës së mërgimit, ëndërronin për kthimin dhe kur u kthyen në Mekë ata u gëzuan.

Sot, kaq shumë vite pas kësaj ngjarjeje, kur e kujtojmë atë dhe mesazhet që ajo përcjell, nuk mund t’i anashkalojmë dy porosi posaçërisht të rëndësishme. E para është se Pejgamberi (a.s.) pas hixhretit i mësoi pasuesit e tij se nuk ka më hixhret pas hixhretit të tij; dhe e dyta është se ai na mësoi, se të gjithë ata që largohen nga mëkati pas hixhretit të tij dhe të sahabëve janë muhaxhirë.

Muslimanët sot – përkatësisht, që nga hixhreti i Pejgamberit e më tej, kur fituan fuqi dhe mund të kujdeseshin për veten – nuk e kanë më shpërblimin e hixhretit që nënkuptonte largim nga vendlindja apo shpërngulje nga një vend në tjetrin. Për të gjithë ne, siç ka shpjeguar Pejgamberi (a.s.), mbetet xhihadi dhe nijeti. Lufta, përkatësisht xhihadi, për ta ruajtur dhe përhapur fenë – dhe feja nuk ruhet vetëm me shpatë, por edhe me punë, me rregull, me dituri – dhe e gjitha kjo është xhihad. Nijeti – vepra e bërë me nijet të sinqertë – është ajo që i jep vlerë veprës. Nijeti i sinqertë siguron shpërblimin për veprën, dhe një vepër e tillë sjell dobi edhe për shoqërinë dhe bashkësinë.

Tevbeja – pendimi – në aspektin gjuhësor do të thotë kthim. Njeriu përmes tevbes kthehet në gjendjen e pastërtisë, sepse në këtë botë ka ardhur plotësisht i pastër, pa asnjë mëkat. Hixhreti si ngjarje që këto ditë e përkujtojmë dhe që do ta shënojmë, është një motivim i fuqishëm drejt tevbes, drejt pendimit, drejt ndryshimeve në jetë – sepse edhe vetë ajo ngjarje nënkuptonte ndryshim të fuqishëm dhe themelor në jetën e muslimanëve dhe të bashkësisë së tyre.

Muhaxhirët lanë pas gjithçka dhe shkuan në Medinë. Shtëpitë, pasuritë, punën, vendlindjen, familjet – gjithçka e lanë për hir të Allahut dhe të Pejgamberit, në mënyrë që ta ruajnë atë që ka më shumë vlerë, dhe vlera më e madhe është vetëm feja dhe veprat e mira. Allahu i Lartësuar e përkufizon kështu: “Ajo që është tek ju është kalimtare, kurse ajo që është tek Allahu është e përjetshme.”

Ensarët i ndanë pasuritë dhe shtëpitë e tyre me muhaxhirët, pa egoizëm, dhe ishin të lumtur që po e bënin një gjë të tillë. Nuk ndien vështirësi që pasurinë e tyre t’ua jepnin të tjerëve.

Ne, vëllezër të dashur, jemi të dashuruar në këtë botë, dhe kjo dashuri e tepërt për atë që është kalimtare na çon në mëkat – madje në një mëkat që i shkatërron veprat e mira. Nga ne nuk kërkohet t’i braktisim shtëpitë, as t’ia kthejmë shpinën vendlindjes, as t’i lëmë familjet, as të heqim dorë nga gjysma e shtëpisë apo e arës si ensarët. Nga ne kërkohet që të jetojmë në këtë botë duke ditur se jemi vetëm përdorues të përkohshëm të saj, ose siç e shpjegon Pejgamberi (a.s.), vetëm si udhëtarë që ndalen nën hijen e një peme për t’u çlodhur pak.

Të nxitur nga ngjarja e hixhretit, le të pendohemi dhe ta bëjmë hixhretin tonë personal – por hixhreti ynë nuk është largim, por është kthim, është kthim në një gjendje pa mëkate.

Muhaxhirët dhe ensarët u vëllazëruan. Çdo gjë që mund të sillte përçarje, dyshim, grindje dhe mospajtime midis tyre, ata e kapërcyen. Vëllazëria në fe ishte më e rëndësishmja për ta. Në këtë mënyrë ata ndërtuan një botë të re më të lumtur dhe një shtet të fortë islam. Ata e ndërtuan një bashkësi që nuk do të ishte më kurrë në hall, dhe nuk do të detyrohej të largohej nga vendlindja për ta mbrojtur fenë.

Të nxitur nga hixhreti i Pejgamberit (a.s.), që këto ditë do ta kujtojmë pas 1446 vitesh, le ta bëjmë hixhretin tonë personal, por hixhreti ynë nuk është largim, por është kthim, është kthim në një gjendje pa mëkate. Le të pendohemi për urrejtjen, për smirën, për fjalët e këqija, për dyshimet, dhe për dëshirën që t’i ndodhë keq vëllait tonë.

Shumica e ibadeteve janë bërë obligim pas hixhretit, dhe të gjitha e kanë për qëllim që të na mbrojnë nga mëkatet dhe të na pastrojnë prej tyre. Pasi që me tevbe të kthehemi në një gjendje pa mëkate, le ta ruajmë këtë gjendje me agjërim, i cili u bë obligim pas hixhretit. Pas hixhretit edhe xhumaja u bë obligim për ne. Kur pendohesh që nuk i je përgjigjur ezanit, fillo ta zbatosh atë që na është bërë detyrim pas hixhretit. Namazi në përgjithësi dhe xhumaja në veçanti na mbrojnë nga mëkatet dhe na i fshijnë ato. Edhe zekati u bë obligim pas kësaj ngjarjeje të madhe. Hixhreti si ngjarje dhe zekati si dispozitë ishin pikë kthese në jetën e bashkësisë së parë muslimane. Pasi që përmes hixhretit tonë personal – e rruga jonë është kthimi – ne kthehemi në gjendjen pa mëkate, atëherë le ta ruajmë atë gjendje përmes dhënies së pasurisë, sepse edhe sadakaja, edhe zekati, na i fshijnë mëkatet dhe na mbrojnë prej tyre.

Në ditët që po vijnë do ta kujtojmë djersën e derdhur të Pejgamberit (a.s.) dhe të sahabëve të tij në rrugën e hixhretit të tyre. Ata e braktisën vendlindjen e tyre në mënyrë që drita e fesë të na ndriçojë neve. Le të frymëzohemi nga sakrifica e tyre dhe, le ta bëjmë hapin tonë të shpërnguljes – le ta bëjmë hixhretin tonë që quhet tevbe. Kështu do ta forcojmë dritën e fesë, dhe do t’u mundësojmë fëmijëve tanë që ta shohin atë dritë, në mënyrë që të gjithëve të na udhëheqë në rrugën që çon drejt shpëtimit dhe lumturisë.

O Allahu i Lartësuar! Po të lutemi të na japësh forcë që të nisemi rrugës së hixhretit tonë dhe përmes tevbes të kthehemi në kënaqësinë Tënde. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK