Connect with us

Tech & Auto

Gjermania, prapa konkurrencës aziatike në inovacionin e baterive

Publikuar

Koreja e Jugut, Kina dhe Japonia paraqitën numrin më të madh të aplikimeve për patentë në fushën e teknologjisë së baterive në Gjermani në vitin 2024, duke lënë në hije inovatorët vendas, njoftoi zyra e patentave dhe markave tregtare DPAMA.

Zyra gjermane mori gjithsej 7,242 aplikime për patentë në fushën e teknologjisë së baterive vitin e kaluar, 16.6 përqind më shumë se në vitin 2023, tregon raporti vjetor.

Kërcimi pasqyron kryesisht valën e kërkesave nga Azia, vuri në dukje DPAMA.

Kërkesat më të shumta u paraqitën nga Koreja e Jugut, gjithsej 1,817, e ndjekur nga Kina me 1,591 kërkesa dhe Japonia me 1,136 kërkesa.

Të gjitha vendet paraqitën dukshëm më shumë kërkesa sesa në vitin 2023, dhe rritja më e madhe u regjistrua nga Kina, me 22.6 përqind. Numri i kërkesave nga Koreja e Jugut dhe Japonia u rrit me 10.3 dhe 7.8 përqind, përkatësisht, krahasuar me vitin 2023.

Gjermania u rendit e katërta me 1,112 kërkesa, 1.9 përqind më shumë se një vit më parë.

Ndër kompanitë që paraqitën më shumë aplikime për patentë në fushën e teknologjisë së ruajtjes së energjisë ishin LG dhe Samsung të Koresë së Jugut dhe CATL kineze.

Teknologjia kryesore

“Teknologjia e baterive është çelësi për transformimin e sistemit tonë energjetik dhe për elektromobilitetin”, theksoi Presidentja e DPMA-së, Eva Schewior.

Gjermania kryesoi renditjen e teknologjisë diellore me 184 aplikime për patentë, duke përfshirë teknologjinë fotovoltaike dhe termike diellore dhe zgjidhjet e montimit të paneleve diellore, një rritje prej 57.3 përqind nga viti 2023.

Kina ra në vendin e dytë me 133 aplikime, 12.7 për qind më shumë se në vitin 2023. SHBA-të janë në vendin e tretë me 79 aplikime, 16 për qind më pak se një vit më parë.

Në sektorin e energjisë së erës, vendi i parë i shkoi Danimarkës me 163 kërkesa, 16.3 përqind më pak se në vitin 2023. Në vendin e dytë është Gjermania me 121 kërkesa, 14.2 përqind më shumë se në vitin paraprak. Vendi i tretë shkoi në Spanjë me 60 aplikime të paraqitura, 11.8 përqind më pak se në vitin 2023.

Zyra gjermane e patentave paralajmëroi se shifrat pasqyrojnë tendenca të vonuara, pasi aplikimet për patentë publikohen 18 muaj pas datës së paraqitjes. /tesheshi.com/