Komuna ime
Fillon “Olimpiada shkollore Saraj 2025” – përfundojnë garat eliminuese në volejboll

Sot në komunën e Sarajit nisi zyrtarisht “Olimpiada Shkollore Saraj 2025”, një ngjarje sportive që synon të promovojë frymën garuese dhe sportin në mesin e të rinjve. Aktiviteti startoi me zhvillimin e garave eliminuese në disiplinën e volejbollit për vajza.
Në këtë fazë të parë, morën pjesë të gjitha shkollat fillore komunale me ekipet e tyre të vajzave. Pavarësisht konkurrencës së fortë dhe entuziazmit të madh, të gjitha ekipet treguan përkushtim, shpirt sportiv dhe performancë të lartë gjatë ndeshjeve.
Pas 7 lojërave të zhvilluara mes nëntë shkollave pjesëmarrëse, u përcaktuan edhe rezultatet përfundimtare të kësaj faze. Vendi i tretë i takoi ekipit të vajzave të Shkollës Fillore Komunale “Ibe Palikuqa” nga vendbanimi Bojanë.
Ndërkaq, në finale u kualifikuan dy ekipet më të mira të ditës: ShFK “Emin Duraku” nga Bukoviqi dhe ShFK “Bajram Shabani” nga Kondova. Këto dy skuadra do të përballen në finalen që do të zhvillohet më 31 maj 2025, në Qendrën Rekreative Sportive në Saraj.
Organizatorët dhe komuniteti sportiv u shprehen të kënaqur me ecurinë e garave dhe shprehën mbështetje për promovimin e aktiviteteve të tilla tek të rinjtë. Dy ekipeve finaliste ju dëshirojmë shumë suksese në përballjen për trofeun e kampiones!
















