Lajme
Reagon Bashkësia Lokale e Pallçishtit: Kryetari i Komunës së Bogovinës po bllokon projektin e ujësjellësit
Banorët e fshatit Pallçisht kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me bllokimin e projektit të ujësjellësit, duke akuzuar kryetarin e Komunës së Bogovinës për pengim të qëllimshëm të një nevoje themelore për komunitetin.
Në një reagim të shpërndarë publikisht nga Bashkësia Lokale e Pallçishtit, thuhet se pavarësisht angazhimit të tyre institucional dhe bashkëpunimit me zëvendësministren Kaltrina Zekolli, projekti për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit është ndalur nga vetë kryetari i komunës.
“Uji nuk është luks, është një nevojë themelore,” thuhet në deklaratë. “Bllokimi i një projekti të tillë thelbësor është jo vetëm papërgjegjshmëri administrative, por gjithashtu një akt i pastër sabotimi ndaj qytetarëve.”
Deklarata e bashkësisë thekson se veprimet e kreut komunal janë të motivuara politikisht dhe shërbejnë si mjet presioni ndaj banorëve në funksion të interesave partiake.
Bashkësia i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga opinioni publik:
“Qytetarët e Pallçishtit nuk do të heshtin përballë padrejtësisë. Ata kërkojnë shërbime të drejta dhe zhvillim, dhe nuk do të pranojnë që kryetari të përdorë mungesën e ujit si vegël për manipulim politik.”
Sipas tyre, pengimi i projektit nuk është rastësi, por pjesë e një praktike të vazhdueshme ku interesat jetike të qytetarëve përdoren si instrument për përfitime politike.
Nga Komuna e Bogovinës ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me këto akuza.