Connect with us

Religjion

Nuk është lumturia në thesin plot me para

Publikuar

Falënderojmë Allahun, të Lartësuarin, Zotin e të gjithë botëve. Dërgojmë salavate dhe selam për të Dërguarin e fundit të Allahut, të dashurin tonë, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër të dashur, po e këshilloj veten dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.

I Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Një njeriu që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”

Vëllezër të dashur, në fillim dua të ndaj me ju një tregim që e lexova në profilin e një kolegu në Facebook, dhe që më ka lënë përshtypje të thellë:

Samiri qëndron në Golf-in e tij të vjetër dhe shikon orën. Po i afrohet vonesa për në punë në fabrikë. Makina është e vjetër, por e mirëmbajtur – i ka shërbyer besnikërisht për tetë vite. Po mendon për faturat që duhet të paguajë, për regjistrimin e të birit në futboll dhe të vajzës në kurset e anglishtes. Paga është e mirë, por gjithçka është shtrenjtuar.

Papritur, pranë tij ndalet një Mercedes i ri luksoz. Pas timonit është Emiri, pronar i një kompanie të madhe ndërtimi. Samiri e njeh – të gjithë e njohin Emirin. Makina i shkëlqen, kostumi i tij është i përsosur, ora e artë i ndriçon në dorë. Fëmijët e Emirit vozisin BMW dhe Audi, dhe jetojnë në një vilë madhështore në kodër.

Samirit i shtrëngohet barku nga mendimet. “Ah, sikur të mundesha edhe unë si ai…”

Por ajo që Samiri nuk e di është se Emiri është rrugës për në seancën e tretë të kimioterapisë për këtë javë. Kanceri i është përhapur në nyjet limfatike. Gruaja e tij, Amela, prej muajsh ka një lidhje të fshehtë me partnerin e tij të biznesit. Ajo mendon se Emiri nuk e di, por Emiri e di. Djali i tij ka thyer makinën e tretë javën e kaluar duke vozitur i dehur. Vajza është në rehabilitim – për herë të dytë këtë vit.

Samiri kthehet në shtëpi pas pune. Aroma e një dreke të freskët e pret. Gruaja e puth me dashuri, fëmijët vrapojnë për ta përqafuar. Djali i tregon një pesëshe nga matematika, vajza i dhuron një vizatim ku shkruan: “Për babain më të mirë në botë.” Ulen bashkë në tavolinë, bisedojnë, qeshin. Planifikojnë një udhëtim në fundjavë në liqenin aty pranë – asgjë e shtrenjtë, por do të jenë së bashku.

Ndërkohë, Emiri ulet i vetëm në dhomën gjigande të ndenjës në vilën e tij. Shikon përtej dritares. Edhe këtë mbrëmje, askush nuk do të vijë në darkë. Telefoni bie – ndoshta është mjeku me rezultatet e reja. Ai nuk dëshiron të përgjigjet.

Dy jetë. Dy histori të ndryshme.

Lumturia nuk matet me pasuri materiale. Shpeshherë kemi xhelozi ndaj të tjerëve, pa ditur për luftërat e tyre të brendshme, vuajtjet e tyre, lotët e tyre. Pasuria e vërtetë nuk është në xhep, por në zemër – në dashuri, shëndet, në familje dhe në marrëdhënie të sinqerta me njerëzit që i duam.

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Mund të ndodhë që ju të urreni diçka, por ajo të jetë e mirë për ju. Dhe mund të doni diçka, por ajo të jetë e keqe për ju.” (el-Bekare, ajeti 216)

Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Pasuria nuk është në sasinë e madhe të saj, por pasuria e vërtetë është pasuria e shpirtit.”

Një i urtë ka thënë: “Lumturia nuk është në atë që posedojmë, por në atë sa jemi të kënaqur me atë që kemi.”

Vëllezër të dashur, sa herë kemi dëshiruar diçka, pa e ditur se çfarë vështirësish e shoqërojnë atë? Sa herë zilia na ka verbuar dhe nuk na ka lënë të ndjejmë mirënjohje?

Lumturia nuk është në ar dhe argjend, as në makina luksoze dhe vila, por në kënaqësinë e zemrës, në ndërgjegjen e pastër dhe në dashurinë e njerëzve tanë më të afërt. Por nuk duhet të harrojmë: edhe varfëria është sprovë, ndërsa pasuria mund të jetë e dobishme nëse përdoret si duhet.

Islami na mëson se puna është ibadet, por edhe ajo ka kufirin e saj. Nuk duhet të punojmë aq shumë sa t’i harrojmë ata që kanë të drejtë mbi kohën tonë: prindërit, bashkëshortët, fëmijët, miqtë, fqinjët, të afërmit.

Pejgamberi, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Trupi juaj ka të drejtë mbi ju, familja juaj ka të drejtë mbi ju, edhe musafiri juaj ka të drejtë mbi ju. Jepini secilit të drejtën e tij.”

Andaj, le ta pyesim veten: A e ndjen familja jonë dashurinë dhe vëmendjen tonë, apo na shohin vetëm të lodhur dhe të shteruar?

Le të jemi të kënaqur me atë që na ka dhënë Allahu.

Nganjëherë duhet t’i shikojmë ata që janë më poshtë se ne, për të kuptuar se ku jemi. Të mos i shikojmë vetëm ata që janë më lart, sepse pamja mund ta mashtrojë njeriun.

Receta për lumturi: Në jetën e përditshme, shiko ata që janë më poshtë se ti, kurse në fe, shiko ata që janë më përpara se ti.

Prandaj, vëllezër të dashur, nuk është lumturia thes me para, por nuk është as fat të jesh i varfër. Varfëria nuk është vetvetiu e mirë, as pasuria vetvetiu e keqe. E rëndësishme është se si e përdorim atë që kemi dhe si e shohim botën përreth.

Dhe në fund, po ndaj me ju disa këshilla për të arritur paqen dhe kënaqësinë e brendshme:

  1. Le ta falënderojmë Allahun çdo ditë – Le ta fillojmë ditën me “Elhamdulilah” dhe t’i kujtojmë të gjitha begatitë që kemi.
  2. Mos të krahasohemi me të tjerët – Çdokush bart barrën e vet. Ajo që duket jashtë, nuk është gjithmonë pamja e vërtetë.
  3. Le të ndajmë me të tjerët – Duke ndihmuar ata në nevojë, do të ndiejmë se sa të bekuar jemi.
  4. Le t’i përkushtohemi ibadetit – Me namaz, me leximin e Kuranit, me lutje, me dhikër… dhe do të gjejmë paqe.
  5. Le t’i kthehemi familjes – Koha me familjen është pasuria më e madhe. Dashuria e tyre është e paçmuar.

Lutemi që Allahu të na bëjë të kënaqur me atë që kemi, të na mbrojë nga zilia dhe mosmirënjohja, dhe të na dhurojë lumturi që nuk matet me gjëra materiale, por me zemër të pastër dhe me vepra të mira. Amin! 

https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK