Connect with us

Religjion

Rreziku i mendjemadhësisë

Publikuar

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Muhammedin alejhis-selam, familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar vëllezër e motra!

Një nga sëmundjet më të rrezikshme të zemrës, që mund ta godasë edhe besimtarin më të devotshëm, është mendjemadhësia (kibri). Ajo është një sëmundje e padukshme, por me pasoja shkatërrimtare, e cila e largon njeriun nga mëshira e Allahut dhe e privon nga Xhenneti.

Allahu i Madhërishëm në një ajet kuranor thotë: “Allahu ju ka dërguar udhërrëfyesin: një të Dërguar, i cili ju lexon shpalljet e Allahut me shpjegime të qarta, për t’i nxjerrë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, nga errësira në dritë.” (Talak, 10-11). Vallë, në çfarë errësire mund të gjenden ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira? Dijetarët thonë se kjo i referohet sëmundjeve shpirtërore dhe mahaneve që i kanë edhe ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s, ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai që në zemrën e tij ka edhe sa një grimcë mendjemadhësie.” (Muslimi).

Kjo sëmundje nuk i godet vetëm jobesimtarët. Edhe besimtari, edhe ai që bën vepra të mira, mund të bjerë në kurthin e mendjemadhësisë nëse nuk e pastron zemrën. Kjo ndodh kur njeriu fillon të mendojë se çdo sukses i tij është vetëm rezultat i mendjes dhe punës së vet, duke harruar se gjithçka është dhuratë nga Allahu xh.sh.

Para se njeriu ta shpreh dhe ta manifestojë hapur mendjemadhësinë, kësaj i paraprijnë dy faza të tjera: e para, ndjesia në zemër e epërsisë ndaj të tjerëve, dhe e dyta, shfaqja e saj në sjellje dhe veprime.

Shembulli më i qartë për këtë është Iblisi, i cili u shkatërrua nga mendjemadhësia e tij kur tha: “Unë jam më i mirë se ai! Mua më ke krijuar nga zjarri, kurse atë nga dheu.” (El-A’raf: 12)

Mendjemadhësia shfaqet në disa forma të përditshme: kur njeriu e sheh veten më të mirë se të tjerët, kur i jep selam vetëm të pasurve e jo edhe të varfërve, kur zemërohet kur e kritikojnë, kur nuk e pranon këshillën, apo kur pret që të tjerët t’i shërbejnë.

Burimet e mendjemadhësisë

Disa prej gjërave me të cilat njerëzit krenohen dhe bien në mendjemadhësi janë:

Dituria – dija është përgjegjësi dhe për të do të japim llogari. Sa më shumë dituri të kemi, aq më i gjatë do të jetë qëndrimi para Allahut xh.sh. dhe do të pyetemi se si kemi vepruar me të. E si të jetë njeriu mendjemadh?

Ibadeti (adhurimi) – Sa ka prej njerëzve që falen, japin sadaka, lexojnë Kur’an, dhe në zemrat e tyre ka mendjemadhësi. Lavdërohen me ibadetet e tyre dhe harrojnë se nuk janë të sigurt për pranimin e tyre.

Pasuria – për pasurinë hallall njeriu do të pyetet, kurse për fitimin haram do të ndëshkohet. Për gjërat e tjera, njeriu do të pyetet vetëm nga njëherë, përpos pasurisë, për të cilën do të pyetet dy herë: Si e fitoi dhe se si e harxhoi. E si të jetë njeriu mendjemadh?

Prejardhja – dikush mund të tregohet mendjemadh në bazë të prejardhjes, duke u ngritur mbi të tjerët, se i takon filan kombit, shtetit, fisit, besimit apo rajonit. Prejardhja është diçka që askush nuk e zgjedh vetë dhe se nuk ka vlerë pa vepra të mira.

Vëllezër të nderuar!

Ilaçi i kësaj sëmundjeje është te dituria,  veprat e mira dhe te vetëdija e lartë për Allahun. Kur njeriu e kujton se do të vijë dita kur do të qëndrojë i vetëm në varr, i braktisur nga të gjithë, dhe përballë tij është llogaridhënia, ai do të përkulet dhe do ta pastrojë zemrën nga arroganca dhe mendjemadhësia.

Lusim Allahun që të na bëjë prej atyre që e njohin veten dhe që nuk krenohen me ato që nuk kanë merita, të na mbrojë nga mendjemadhësia dhe të na mundësojë hyrjen në Xhennetin e Tij të përjetshëm. Amin!

(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen, 02.05.2025)

NA NDIQ NË FACEBOOK