Sport
Pesë medalje për “Khalid”-in në Kampionatin Shtetëror, garuesit kualifikohen për Ballkanikun

Klubi i Karatesë “Khalid” ka shënuar një sukses të rëndësishëm në Kampionatin Shtetëror për Pionierë, i cili u mbajt më 27 prill 2025 në Shkup. Nga tetë garues që morën pjesë në këtë garë, pesë prej tyre u shpërblyen me medalje, duke siguruar një vend në përfaqësuesen shtetërore për Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet në Bar të Malit të Zi.
Blenda Asani dhe Amina Shabani u shpallën nënkampione shtetërore, duke zënë vendin e dytë në kategoritë e tyre përkatëse. Ndërkohë, Shkëmb Sabriu, Erblin Bajrami dhe Agon Haliti arritën të fitojnë medalje të bronzta, duke kompletuar paraqitjen e shkëlqyer të klubit.
Ky rezultat konfirmon punën e palodhur dhe përkushtimin e trajnerëve dhe sportistëve të klubit “Khalid”, që vazhdon të jetë një emër i njohur në skenën e karatesë në vend. Pjesëmarrja në Kampionatin Ballkanik pritet të jetë një mundësi e artë për të dëshmuar edhe njëherë cilësinë dhe talentin e garuesve të rinj nga ky klub.


























