Connect with us
SYLA GROUP

Maqedoni

Veprimtari i arsimit Etem Xheladini ndalohet në Qafë Thanë, MPB ndalesë të paqartë 1 vjeçare, ja reagimi i tij publik

Published

on

Një rast i pazakontë dhe i paprecedentë është regjistruar sot më 11 maj 2025 në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar hyrjen dhe daljen e profesorit të njohur shqiptar, Etem Xheladini, një figurë emblematike e arsimit dhe aktivizmit kombëtar, përcjell INA.

Pa ndonjë sqarim zyrtar dhe për më shumë se 30 minuta, ai është mbajtur në kufi, me arsyetimin se i është ndaluar kalimi për një vit që nga 25 marsi i këtij viti. Por profesori Xheladini thotë se pas reagimeve dhe mosbindjes së tij duke kërkuar hollësi dhe vendim gjyqësor, ai më pas është lejuar që të udhëtoj.

Lidhur me këtë ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, veprimtari Etem Xheladini.

Reagimi i plotë i Prof. Etem Xheladinit:

Reagim publik ndaj trajtimit me rastin e kalimit të pikës kufitare në Qafë Thanë për në Shqipëri, në pikën kufitare të Maqedonisë së Veriut

Unë, Prof. Etem Xheladini, ish-punëtor i arsimit për 42 vite dhe tashmë pensionist prej pesë vitesh, si dhe ish-kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” Kumanovë-Likovë, më datë 11 maj 2025, rreth orës 04:00, u njoftova në pikën kufitare të Qafë Thanës se më është ndaluar kalimi i kufirit për një periudhë njëvjeçare, që nga data 25 mars 2025.

Për më shumë se 30 minuta u mbajtëm në pritje pa ndonjë arsye të qartë. Policia kufitare, ndonëse me sjellje korrekte, tha se duheshin bërë verifikime shtesë nga autoritetet kompetente të punëve të brendshme. Ky është një rast precedent, por gjithashtu një praktikë që po përsëritet, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj përfaqësuesve shqiptarë dhe ish-aktivistëve që kanë qenë të angazhuar në çështje kombëtare.

Për dekada të tëra kam kontribuar në sferën e arsimit dhe humanitetit, duke qenë pjesë e nismave historike si hapja e paraleleve të gjimnazit në gjuhën shqipe në vitin 1991, në të gjitha qendrat shkollore deri më 1994/95, si dhe themelimi i Fakultetit “AB” në Kumanovë më 2008.

Këto veprime përfaqësojnë një rikthim të praktikave represive të kohës së komunizmit jugosllav, kur shqiptarët ndaloheshin e diskriminoheshin pa ndonjë arsye të bazuar ligjërisht. Sot, kur Maqedonia e Veriut aspiron integrimin në Bashkimin Evropian dhe predikon bashkëjetesën multietnike, ky është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm.

U bëj thirrje politikëbërësve shqiptarë, në pozitë dhe opozitë, por edhe pjesëmarrësve në qeveri, që të reagojnë me vendosmëri. Ky është një sulm jo ndaj meje personalisht, por ndaj gjithë kontributit shqiptar në arsim dhe komb. Shqetësimi më i madh nuk ishte i imi, por i bashkudhëtarëve të mi që udhëtonin me minibus për në Shqipëri, të cilët e konsideruan këtë veprim të pushtetit si të ulët dhe çnjerëzor”, theksohet në reagimin e tij. (INA)

NA NDIQ NË FACEBOOK