Religjion
Pesë qëllimet kryesore të Kur’anit

Kur’ani ka pesë qëllime kryesore dhe thelbësore që udhëheqin jetën e besimtarëve:
1. Udhëzimi i drejtë
Kur’ani shërben si udhëzim drejt besimit në njëshmërinë e Zotit. Ai udhëzon drejt një jete morale përmes nënshtrimit ndaj vullnetit të Allahut – që është vetë kuptimi i Islamit. Kjo mënyrë jetese sjell udhëzim si në nivelin personal, ashtu edhe në atë shoqëror.
2. Morali i drejtë
Kur’ani bën dallim midis moralit dhe imoralitetit, si dhe midis të mirës dhe të keqes. Ai u ndihmon muslimanëve që të marrin vendime të drejta morale në jetën e tyre të përditshme.
3. Këshilluesi dhe përkujtuesi
Kur’ani vërteton dhe sjell në kujtesë mësimet e pejgamberëve të kaluar. Tregimet e tyre përbëjnë një pjesë të rëndësishme të rrëfimit kuranor dhe shërbejnë si këshilla për njerëzimin.
4. Shërimi shpirtëror
Kur’ani ndihmon muslimanët të largohen nga pasionet e ulëta dhe t’ju drejtohen qëllimeve më të larta: të adhurojnë dhe t’i binden vetëm Zotit. Ai ofron një rrugë drejt një lidhjeje personale me Zotin dhe çliron shpirtin nga dobësitë morale si materializmi, smira dhe zemërimi.
5. Ndryshimi shoqëror
Kurani është si një “plan veprimi” për ndryshimin shoqëror, i bazuar në drejtësi shoqërore, mirëkuptim fetar, harmoni ndërmjet popujve dhe racave, si dhe në respektimin e dinjitetit njerëzor. Ai i thërret muslimanët që të angazhohen për atë që është e drejtë dhe e mirë, dhe të luftojnë padrejtësinë dhe të keqen.
Pesë qëllimet e Kur’anit formojnë një tërësi harmonike mes udhëzimit personal, përmirësimit moral, thellimit shpirtëror dhe angazhimit shoqëror. Në një kohë ku njerëzit përballen me kriza identiteti, padrejtësi dhe boshlloqe shpirtërore, Kur’ani qëndron si një dritë që nuk shuhet, duke ofruar zgjidhje për zemrën, mendjen dhe shoqërinë.
„Ky është një Kuran i bekuar që Ne ta kemi shpallur, që njerëzit të mendojnë për ajetet e tij dhe të nxjerrin mësim ata që kanë mend.“ (Sad, 38:29)
Kurani është më shumë se një libër; ai është një jetë, një dritë dhe një udhërrëfyes i përhershëm.
Hfz. Mehas Alija
(Islampress)























