Religjion
“Kur e sheh nënën është sikur me e pa Xhenetin”

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, Atij që na mësoi dashurinë, mëshirën dhe respektin për prindërit tanë, sidomos për nënën. Paqja dhe bekimi qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (s.a.v.s.), i cili e lartësoi pozitën e nënës dhe i mësoi umetit se “Xheneti është nën këmbët e nënës.”
Vëllezër e motra!
Sot në shumë vende shënohet Dita Ndërkombëtare e Nënës. Për ne muslimanët, nderimi i nënës nuk është një ditë në vit, por është një detyrë e përditshme, një respekt dhe përkujdesje e përhershme.
Allahu i Madhërishëm në Kuran urdhëron: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që të sillet mirë me prindërit e tij. Nëna e tij e ka bartur atë me vështirësi mbi vështirësi…” (El-Ahkaf: 15)
Allahu e përmend sakrificën e nënës me ndjeshmëri të veçantë. Ajo bart, lind dhe rrit me mundim dhe dashuri. Por shpesh, mundimi i saj është i heshtur dhe i padukshëm për botën. Netët pa gjumë, shqetësimet pa fund, dhimbjet e trupit dhe shpirtit – të gjitha këto i mbart në heshtje, për hir të fëmijëve.
I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), kur u pyet se kush meriton më së shumti shoqëri të mirë, u përgjigj tre herë: “Nëna jote”. Dhe pastaj: “Babai yt.”
Ky është një mësim i qartë për të gjithë ne: dashuria, respekti dhe përkujdesja ndaj nënës është rruga drejt Xhenetit, është ajo rrugë që të fal kënaqësi dhe lumturi xhenneti edhe në këtë botë. Kur e sheh atë është sikur me e pa Xhennetin!
Për fat të keq, sot shumë nëna ndihen të vetmuara, të lodhura, të harruara, edhe në mesin e vet familjeve të tyre. Detyra jonë si fëmijë, bij e bija, dhe si besimtarë është t’i shohim, t’i dëgjojmë dhe t’i përkrahim. Sepse kush respekton nënën, e ka fituar derën e Xhenetit. Dhe kush e neglizhon atë, rrezikon humbjen më të madhe shpirtërore.
Le të ndjekim shembullin e Pejgamberit tonë i cili, edhe pas vdekjes së nënës së tij, e kujtonte me mall e mëshirë. Le të jemi nga ata që përqafojmë nënat tona sot, i vizitojmë, i ndihmojmë, u flasim me butësi dhe falënderim.
Allahu na bëftë prej atyre që e respektojnë nënën siç ajo meriton!
Na e bëftë këtë nder një shkak për falje dhe mëshirë në Ditën e Gjykimit!
Amin, ja Rabbel-alemin.
Hfz. Mehas Alija
(Islampress)





















