Religjion
Durimi në sprova dhe urtësia e Allahut

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Të nderuar vëllezër e motra!
Jeta jonë është e mbushur me sprova, vështirësi dhe situata të cilat shpesh nuk i kuptojmë. Ndonjëherë, kur na godet një fatkeqësi apo sprovë, ne humbasim shpresën, biem në trishtim dhe mendojmë se gjithçka ka marrë fund. Por kjo nuk është qasja e një besimtari të vërtetë!
Kur’ani Famëlartë na kujton:
“Ju mund të mos pëlqeni diçka, por ajo është e mirë për ju; dhe mund të pëlqeni diçka, por ajo është e keqe për ju. Allahu e di, ndërsa ju nuk dini.” (El-Bekare, 216)
Shembull i qartë është Pejgamberi Jusuf, alejhi selam. Nga dashuria e babait për të, nga mirëqenia familjare, përfundoi në pus (bunar). Nga pusi, Allahu e solli në pallatin e pasur mbretëror. Pastaj, nga pallati ra në burg. Por nga burgu, me lejen e Allahut, u bë ministër i një shteti të madh, siç ishte Egjipti në atë kohë.
Xhemat i nderuar, kjo na bënë të kuptojmë se pa Allahun ne do të jemi në humbje. Nëse Allahu është më ty, Ai do ta nënshtrojë edhe armikun tënd që të jetë në shërbimin tënd. E nëse Ai nuk është në anën tënde, shumë lehtë mund të përjetosh ofendime dhe poshtërime edhe nga vet fëmijët e tu.
Që të mos biem në ankthe dhe depresione, shkaku i sprovave dhe fitneve, duhet të jetojmë më shpirt jusufi. Duhet të përpiqemi, të angazhohemi dhe të durojmë, sepse në kohë të vështira vetëm durimi na nxjerr në selamet. E ke parë trëndafilin, për ta ruajtur aromën dhe freskinë, duhet ta shoqëroje dhe durojë edhe gjembin.
Pra, sado e vështirë të jetë sprova që përjetoni, mos u dëshpëroni! Allahu ka një plan për secilin prej nesh. Prandaj, kini durim, mbështetuni te Allahu dhe kini bindje se fundi do të jetë më i mirë, nëse qëndrojmë me besim dhe durim.
Dijeni se Allahu xh.sh. na teston përmes tri mënyrave: Kur i kërkojmë dhe na jep, Ai na teston mirënjohjen dhe falënderimin. Kur i kërkojmë dhe na e vonon, Ai na e teston durimin, kurse kur i kërkojmë dhe nuk na jep, atëherë e teston imamin tonë.
Allahu na bëftë prej atyre që e pranojnë vendimin e Allahut me zemër të qetë dhe që nuk e humbin shpresën në mëshirën dhe urtësinë e Tij.
(Hutbe e mbajtur më 09.05.2025, nga hfz. Mehas Alija, në xhaminë El-Hidaje, St.Gallen)
(Islampress)






















