Lajme
“Nuk i trembemi sulmeve të Ramës”/ Shehaj: Në Kuvend duhen njerëz të pakorruptuar
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj zhvilloi sot një takim zgjedhor në Elbasan. Në fjalën e tij, Shehaj tha se partia nuk i trembet sulmeve të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij ka dalë shumë keq në sondazhe.
Shehaj u shpreh se Partia Mundësia ka një projekt afatgjatë dhe zgjedhjet e 11 Majit janë vetëm hapi i parë.
“Me sa duket, Edi Rama shikon sondazhet, dhe unë ju garantoj se sondazhet nuk i kanë dalë mirë, përkundrazi, i kanë dalë shumë keq dhe ka filluar të na sulmojë. Por ne nuk i trembemi sulmeve të Ramës për një arsye të thjeshtë. Ne kemi një projekt afatgjatë, jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet e 11 Majit janë hapi i parë. Thotë që s’na duhet një parti e tretë, sepse u referohet partive me të cilat ka bërë pazare, por nuk ka shans që të na blejë siç ka bërë me gjithë të tjerët, sepse ne nuk jemi në shitje”,-tha Shehaj.
Shehaj tha se inati që ka Rama me të është se për herë të parë në Parlament do ketë deputetë të pakorruptuar e të pakapshëm, që do përfaqësojnë njerëzit që punojnë.
“Siç e thashë, Edi Rama nuk e ka me mua, e ka me ju. Tha që Agroni ka ndonjë inat, po çfarë inati mund të kem unë me Edi Ramën. Unë ia kam dalë edhe pa Edi Ramën, edhe pa politikën, sepse kam zgjedhur rrugën e punës, rrugën që kanë zgjedhur pjesa më e madhe e shqiptarëve. Ky është problemi që ai ka, sepse për herë të parë në Parlament do ketë deputetë të pakorruptuar e të pakapshëm, që do përfaqësojnë njerëzit që punojnë”,-tha Shehaj./CNA