Maqedoni
Mexhiti: Protagonistët e serialit të quajtur ‘rrënimi i qeverisë, dështuan’
Pas largimit përfundimisht të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN dhe afrimin me BDI-në e Ali Ahmetit në rrjetet sociale ka reaguar zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, pjesë e koalicionit VLEN.
Mexhiti ndodhit e fundit politike i quan serial për ‘rrënimin e qeverisë’, duke shtuar se protagonistët kanë dështuar. Tutje Mexhiti thekson se ndryshimi vazhdon pa heronj të rrejshëm, dhe se ndryshimi do të vazhdojë si amanet i 107.000 votuesve shqiptarë.
Statusi i plotë i Izet Mexhitit.
“Dje ranë maskat: protagonistët e serialit latin publikisht e pranuan atë që e kam thënë shumë herë deri më sot: se gjatë gjithë kohës kishin marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi.
Protagonistët e serialit të quajtur ‘Rrënimi i qeverisë, dështuan. Nuk ndihmuan as fjalimet bombastike, as viktimizimi, as servilosja, as patriotizmi me bateri.
Ndryshimi vazhdon pa heronj të rrejshëm për një përdorim. Ndryshimi vazhdon si amanet i 107.000 votuesve shqiptarë që sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të tradhëtuar. Lufta kundër korrupsionit nuk ka alternativë. Përgjegjësi për pasurimin e paligjshëm do të ketë.
Për fund: në vend të fjalimeve bombastike për gjoja se luftë kundër korrupsionit, i sugjeroj opozitës ta dëshmojë gatishmërinë e vet për hetim me vepra konkrete. Si fillim, le ta dorëzojë superfunksionarin e listës së zezë tek organet e hetuesisë”, ka shkruar Izet Mexhiti – zëvendëskryeministër i parë.