Religjion
E jona është që të punojmë, jo të reklamojmë punën tonë
Ndonjëherë në jetë punojmë me mundim pa u ndalur dhe këtë ndoshta nuk e vërejnë as anëtarët e familjes, as punëdhënësit. Nuk na nevojitet ndonjë mirënjohje apo shpërblim, por duam të na kuptojnë kur bëjmë një gabim ose kur, ndoshta, nuk i përfundojmë disa detyra private apo profesionale. E jona është që të punojmë, jo të reklamojmë punën tonë.
Në këto raste, si ilaç vijnë fjalët e Zotit nga surja Et-Tevbe: Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë (105). Allahu do të shohë përpjekjet tona dhe nëse jemi të sinqertë në punën që bëjmë dhe e kryejmë siç duhet, Ai do t’i bëjë të dinë ata që duhet të dinë për përpjekjet tona. Allahu thotë se besimtarët do të shohin përpjekjet tona, që do të thotë se njerëzit e mirë që duhet të shohin, do të shohin.
Megjithatë, mos harroni se do të japim llogari për çdo gjë që bëjmë, dhe kjo është ajo që na tregon fundi i këtij ajeti, që do të thotë se Allahu do të na informojë për atë që kemi bërë: nëse kemi thënë diçka në emër të Zotit – a ishte me të vërtetë qëllimi ynë i pastër; nëse kemi punuar për të fituar një pagë të lejueshme (hallall) – a kemi punuar siç duhet; nëse kemi mësuar dhe ndihmuar të tjerët – a kemi bërë më të mirën që mundeshim?
Pas këtij ajeti, që është pjesë e surës Et-Tevbe, vjen sura Junus, që e thekson veçanërisht këtë mesazh. Junusi (a.s.) kishte braktisur popullin e tij, nuk kishte shpresë se populli e tij do të bëheshin besimtarë, dhe e la misionin e tij duke menduar se po punonte kot. Allahu e vuri në një provë për këtë qëndrim negativ dhe e siguroi se ata, të gjithë, do të bëheshin besimtarë. Populli i tij pranoi besimin e pastër, dhe kjo nuk ka ndodhur kurrë me një popull që do të duhej të shkatërrohej – sikur Allahu dëshiron të na thote neve, si Junusit, që puna jonë është të bëjmë përpjekje dhe të punojmë sinqerisht; për të tjerat nuk duhet të shqetësohemi. Duhet të dijmë se çdo gjë e keqe që na ndodh, është vetëm një grimcë krahasuar me ato të mira që na presin. Besimtari duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë çdo moment, sepse në suren Junus thuhet: Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin. Megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë, Ne i lëmë të bredhin të verbër në humbjen e tyre..” (11).
Megjithatë, kur ndodh diçka e keqe, njeriu shpesh sheh vetëm atë, duke harruar të gjitha të mirat e tjera. Për shembull, kur e ka një dhembje të vogël në vesh, ai harron që i gjithë trupi është i shëndetshëm. Kjo është arsyeja pse Allahu na thotë) që, kur njeriun e godet një vështirësi, ai e kujton Allahun, por kur e kalon këtë vështirësi, ai e harron Allahun: E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.” (Junus 12).
Kur njeriu gjendet në vështirësi një reagim i tillë është natyrshëm, por nuk është dhe nuk duhet të jetë i natyrshëm për një besimtar. Për këtë arsye, ka një rregull të artë, sipas një hadithi i cili na porosit se ai që e kujton Allahun në mirësi, Allahu do ta kujtojë në fatkeqësi.. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm që mos të kemi fytyra të mërzitura për shkak të këtyre sprovave. Njeriu mund të kthehet në shtëpi i lodhur, i shqetësuar, madje i ofenduar, por kjo është sprova e tij dhe nuk është e bukur që edhe të tjerët të ndjejnë sprovën e tij, e cila mund të jetë një dënim për të, por gjithsesi mund të jetë e mirë për të. Pse duhet që familja, kolegët, fqinjët dhe xhemati të vuajnë nga sporva ose dënimi i tij?
Disa nuk i shqetësojnë të tjerët verbalisht ose fizikisht, por fytyrat e mërzitura mund të shfaqen në shoqëri dhe të krijojnë një atmosferë të pakëndshme. Fytyra e mërzitur është një karakteristikë e njerëzve të ligë që në Ditën e Gjykimit do të kenë këtë pamje: “Kurse ata që bëjnë vepra të këqija, do të kenë dënim gjegjës për atë të keqe. Ata do t’i mbulojë poshtërimi, pa pasur askënd që t’i mbrojë nga dënimi i Allahut, me fytyrat e tyre si të ishin të mbuluara me copa të errëta nate…(Junus 27). Pra, pse duhet njeriu që para tjerëve të shfaqet me fytyrë të mrolur? Nga ana tjetër, i Dërguari i Allahut na ka porositur se buzëqeshja është sadaka, që do të thotë se fytyra e ndritshme, që reflekton pozitivitet dhe që sjell një atmosferë të këndshme në shoqëri, është një vepër e mirë dhe ata që kanë një fytyrë të tillë janë fytyrat e banorëve të Xhennetit.