Lajme
VLEN: Investim historik prej 6.74 milionë dollarësh për mbrojtjen e mjedisit, nis veprimi konkret për të ardhmen!
VLEN në një kumtesë për media thotë se për herë të parë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ka arritur të sigurojë një marrëveshje të re bashkëpunimi me UNDP-në, në kuadër të fazës së 8-të të projekteve të GEF, me një buxhet të përgjithshëm prej 6.74 milionë dollarësh amerikanë.
Nga VLEN thonë se ky fond i dedikuar për mjedisin ndahet në: 1 milion dollarë për menaxhimin e ndikimeve nga ndryshimet klimatike, 3 milionë $ për mbrojtjen e biodiversitetit, 2.74 milionë dollarë për rehabilitimin e tokave të dëmtuara dhe ndalimin e shpyllëzimit.
“Me këtë marrëveshje, VLEN tregon se kur ka vullnet politik dhe vizion të qartë, premtimet shndërrohen në projekte konkrete, e planet në rezultate të prekshme. UNDP mbetet një partner i besueshëm dhe afatgjatë në këtë mision të përbashkët. Por mbi të gjitha, është angazhimi ynë si institucione që bën diferencën”.
“Koha për të vepruar nuk është nesër. Është sot. VLEN ka zgjedhur të jetë pjesë e zgjidhjes, me punë, me ide dhe me rezultate që flasin vetë”, thonë nga VLEN.