Connect with us
SYLA GROUP

Shqipëri

Vala e të nxehtit afrikan arrin pikun! Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim

Published

on

Një valë e fuqishme të nxehti ka pushtuar të gjithë rajonin e Mesdheut, me termometrat që po shënojnë temperatura të larta, duke arritur deri në 40 gradë Celsius në disa vende.

Sipas parashikimeve të meteorologëve, kjo valë e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës dhe temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten edhe gjatë ditëve në vijim, duke e bërë këtë periudhë ndër më të nxehtat e kësaj vere.

Dita e sotme, e premte, rezulton të jetë dita më e nxehtë e kësaj vale. Ministria e Shëndetësisë në Itali ka shpallur gjendjen e emergjencës në 13 qytete të ndryshme të vendit për shkak të temperaturave ekstreme.

Si pasojë e temperaturave të larta, spitalet në të gjithë rajonin kanë raportuar një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitave në shërbimet e urgjencës. E njëjta situatë është vërejtur edhe në Shqipëri, ku shumë qytetarë janë paraqitur pranë ambienteve të urgjencës për të kërkuar ndihmë mjekësore si rezultat i ekspozimit ndaj nxehtësisë.

Valët e të nxehtit mund të shkaktojnë probleme serioze edhe për infrastrukturën. Për shembull, në disa vende janë raportuar raste të trenave që ecin me shpejtësi të reduktuar për shkak të rrezikut të zgjerimit dhe përkuljes së shinave të trenave nga nxehtësia e madhe. Gjithashtu, temperaturat e larta sjellin me vete edhe rritje të problemeve shëndetësore që lidhen me nxehtësinë.

Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka njoftuar se edhe sot, Shqipëria do të vijojë të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike, por me temperatura që do të arrijnë nivele të larta. Moti parashikohet i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare në zonat malore lindore gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Era do të fryjë kryesisht nga perëndimi me shpejtësi mesatare 6 m/s, por në lugina dhe bregdet hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri në 6-12 m/s, shoqëruar me valëzim të lehtë në dete.

Temperaturat e parashikuara për disa qytete të Shqipërisë sot janë: Shkodër 21/37 °C, Kukës 19/36 °C, Lezhë 20/36 °C, Dibër 19/34 °C, Durrës 19/35 °C, Tiranë 24/37 °C, Elbasan 22/38 °C, Berat 20/37 °C, Vlorë 21/35 °C, Korçë 19/33 °C, Gjirokastër 17/37 °C, Sarandë 20/35 °C.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK