Shqipëri
Shkoi në terren për kontroll të bimëve narkotike, policit i ndodh e papritura – Niset me helikopter drejt Tiranës
Një efektiv i Policisë së Shtetit pranë Komisariatit të Matit ka pasur probleme serioze shëndetësore gjatë një operacioni kontrolli për bimë të dyshuara narkotike në zonën e Njësisë Administrative Ulëz.
Sipas burimeve të Balkanweb, efektivi i policisë, emri i të cilit nuk është bërë ende publik, ishte pjesë e një grupi inspektimi që nga orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte. Gjatë kryerjes së detyrës në zonën e njohur si Trodhë, në kufi me rrethin e Krujës, ai është ndier keq dhe gjendja e tij shëndetësore ka filluar të përkeqësohet me shpejtësi.
Shërbimi i ambulancës u njoftua menjëherë, por për shkak të terrenit jashtëzakonisht të vështirë dhe mungesës së infrastrukturës rrugore të përshtatshme në zonë, automjeti i nisur nga Spitali i Burrelit nuk mundi të mbërrijë në vendin ku ndodhej polici i sëmurë.
Duke parë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të efektivit dhe pamundësinë e transportimit me ambulancë, është marrë vendimi për të kërkuar ndërhyrjen e një helikopteri. Helikopteri mbërriti në zonë dhe kreu transportin e shpejtë të punonjësit të policisë drejt Tiranës, ku do të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në një qendër spitalore të specializuar. Ende nuk ka detaje të qarta mbi natyrën e problemit shëndetësor të efektivit dhe gjendja e tij aktuale, por pritet që autoritetet të japin më shumë informacion në orët në vijim.