Religjion
Ritet kanë përfunduar, por a kanë lënë gjurmë tek ne?
Ritet kanë përfunduar, kurse Allahu i Lartësuar thotë se kur të përfundojnë ritet, prapë duhet ta përmendim Atë, ashtu siç i përmendim paraardhësit tanë, madje edhe më shumë se kaq. Çfarë janë ritet nëse ato shërbejnë vetëm si qëllim për vete? Nuk do të përgjigjem drejtpërdrejt në këtë pyetje, por do të them se qëllimi i riteve është që përmendja jonë ndaj Allahut të jetë aq intensive, sa që duke e jetuar fenë dhe duke vepruar atë që do Allahu, të jemi të vetëdijshëm për Të dhe për shpërblimin e premtuar prej Tij. Nëse përmendja jonë ndaj Allahut ndodh vetëm në rite, kurse këto rite nuk lënë gjurmë te ne, nuk na edukojnë, atëherë ne nuk e kuptojmë fenë. Kur Allahu ia do të mirën një robi të Vet, ia mundëson atij që ta kuptojë fenë. Është privilegj që ta kuptosh fenë. Është privilegj që të jesh në mesin e atyre që i do Krijuesi i botëve. Nuk është vështirë ta fitosh këtë privilegj. Duhet vetëm të stolisemi me cilësitë që i Plotfuqishmi ua ka atribuuar besimtarëve të vërtetë, kurse ritet janë zbukurim i atyre cilësive.
Ritet na udhëzojnë në qëndrueshmëri. “Allahu i do të duruarit.” (Alu Imran, 146). Allahu i Plotfuqishëm na fton që ta ndihmojmë veten me namaz dhe me durim. Na shpjegon se Ai është në anën e të duruarve dhe se ata do t’i shpërblejë pa llogari. E në fakt, çfarë është durimi – sabri? Sabri është qëndrueshmëri në të mirë. Kjo cilësi e zbukuron besimtarin, sepse ai është i qëndrueshëm në zbatimin e urdhrave të Allahut dhe është vazhdimisht në luftë me armikun e tij të hapur, shejtanin. Besimtari është i vëmendshëm dhe i qëndrueshëm që të mos bjerë në mëkat dhe ves. Durimi është cilësi e besimtarit, sepse pa të nuk ka qëndrueshmëri as në namaz, as në agjërim, dhe e as në mirësi në përgjithësi. Besimtari është i qëndrueshëm dhe i vetëdijshëm se qëndrueshmëria është cilësia më e mirë me të cilën mund të stoliset. “Thuaj: Kam besuar në Allahun, pastaj qëndro në atë (besim).” – ishte porosia e Pejgamberit (savs) ndaj ndjekësve të tij, kur ishte pyetur se cila është gjëja më e mirë për besimtarin.
Ritet kurorëzohen me bamirësi. “Allahu i do bamirësit” (el-Maide, 13). Besimtari ka për detyrë që nga imani dhe Islami i tij, nga bindja dhe praktika e riteve që kanë për synim edukimin, ta arrijë nivelin e ihsanit. Në atë nivel, besimtari bëhet i vetëdijshëm për praninë e përhershme të Allahut dhe nuk e bën as në fshehtësi atë që nuk do ta bënte publikisht. Kush është më i miri nga ne? Më i miri është ai që u sjell dobi njerëzve. Sipas këtij udhëzimi pejgamberik, jemi të obliguar që gjithmonë dhe kudo të jemi të dobishëm edhe për rrethin edhe për të tjerët. Besimtari që është në mesin e atyre që i do Allahu, bën mirë dhe nxit për të mirë. Ai nxit me shembull, por edhe me këshillë dhe fjalë të mirë. Në këtë grup janë ata, që nga gjuha dhe dora e tyre të tjerët janë të sigurt. Në këtë grup janë ata që ndihmohen në mirësi dhe devotshmëri, e jo në mëkat dhe armiqësi. Në këtë grup janë ata që kanë edukatë të mirë, përulësi, modesti, sinqeritet, dhe mirëpritje. Në këtë grup janë ata që janë të vetëdijshëm – gjithmonë të vetëdijshëm – se çdo hap mund të jetë i fundit në këtë botë, andaj duke bërë vazhdimisht mirë përgatiten për atë çast.
Ritet i edukojnë të drejtët. “Allahu i do të drejtët.” (el-Maide, 43). Islami e synon drejtësinë. Ai insiston në të dhe vazhdimisht i nxit njerëzit që ta ndërtojnë një shoqëri të drejtë. “Mbi drejtësinë qëndrojnë qiejt dhe Toka” – ka thënë Pejgamberi (savs). Besimtarin që dëshiron të jetë në grupin që e do Allahu, Pejgamberi (savs) e ka këshilluar: “Një orë drejtësi është më me vlerë se shtatëdhjetë (70) vjet adhurim vullnetar.” Besimtari është i angazhuar në shoqëri. Ai nuk largohet përballë sfidave. Besimtari, në përputhje me udhëzimet nga burimet e fesë, bën çdo përpjekje që të krijojë shoqëri dhe rreth që do të jetë vend lumturie për të gjithë. Lufta për drejtësi në fenë tonë është shumë e çmuar. T’i kundërvihesh padrejtësisë, na mëson Pejgamberi (savs), është xhihadi më i madh. Të gjithë jemi të thirrur që të luftojmë për një shoqëri më të mirë, më njerëzore dhe më të drejtë; që të luftojmë për një shoqëri ku secili do ta gëzojë të drejtën e tij dhe do të ketë atë që i takon. Nuk ka lumturi në një shoqëri ku një grup i vogël kënaqet, kurse shumica e kërkon lumturinë. Si besimtarë, le ta marrim me seriozitet detyrën për të luftuar për një shoqëri më të mirë, sidomos kur shohim se gjithnjë e më shumë të rinjtë – dhe jo vetëm të rinjtë – po largohen nga atdheu.
Ritet na çojnë te tevekkuli. “Allahu i do ata që mbështeten tek Ai” (Alu Imran, 159). Besimtari kurrë nuk e humb besimin tek Zoti i tij, por ai e di që mbështetja e vërtetë tek Allahu vjen vetëm pasi t’i ketë shterrur të gjitha mundësitë e veta. Njeriu është i pajisur me mendje, me forcë, dhe i janë dhënë edhe shumë resurse për t’i përdorur. Kur t’i ketë shterrur të gjitha mundësitë në një punë, projekt apo rrugë, atëherë duhet të mbështetet tek Allahu. Allahu i Plotfuqishëm nuk e lë robin e Tij pa ndihmë. Sot, umeti pret që Allahu t’ia zgjidhë problemet e grumbulluara. Luten që të largohet fatkeqësia – dhe ka shumë fatkeqësi – por megjithë lutjen, fatkeqësia nuk largohet, sikur të mos arrijë lutja në dyer të hapura. Për të dalë nga kjo gjendje, edhe ne duhet ta bëjmë atë që Allahu kërkon nga ne. Ai kërkon prej nesh të jemi vëllezër. Atëherë le të jemi vëllezër, le të sillemi si vëllezër, le të jetojmë si vëllezër, dhe atëherë nuk do të ketë rreshta të dëshpëruarish që kërkojnë paqe, siguri dhe një copë bukë duke kaluar mijëra kilometra për të arritur në Evropë. Allahu i Plotfuqishëm kërkon nga ne që ta promovojmë paqen – sidomos paqen mes nesh. A e dimë ne se Pejgamberi (savs) ka thënë se në konfliktin mes dy muslimanëve, të dy do të jenë në Xhehenem? Nga ai konflikt, ku të dyja palët ecin drejt Xhehenemit, ka dalë ai rresht i emigrantëve të dëshpëruar që luten për ndihmë. Nëse duam të jemi në grupin që e do Allahu, atëherë ne do të jemi punëtorë të vërtetë në rrugën e Allahut dhe ata që sinqerisht mbështeten tek Allahu.
Ritet na e mësojnë pastërtinë dhe këmbëngulin në të. “Allahu i do ata që pastrohen” (et-Tevbe, 108). Islami insiston në pastërti në të gjitha sferat e jetës. Kërkon pastërti të trupit, të veshjes dhe të shpirtit. Kërkon pastërtin e vendit, pastrimin e pasurisë nga e drejta e të tjerëve, si dhe kërkon që përmes tevbes të pastrohemi nga mëkatet. A dëshiron të jesh në grupin që e do Allahu? Atëherë përfito nga tevbeja sa më shpejt dhe pastrohu nga mëkatet, pastaj stolisu me sabër, kthehu te bamirësia, lufto për drejtësi dhe për një shoqëri më të mirë, si dhe mbështetu sinqerisht tek Allahu.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që ta kuptojmë se feja nuk është vetëm rite, por edhe se pa rite nuk ka fe… Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)