Bota
Për SHBA-në, “gjendje e jashtëzakonshme” në Ballkan që nga 2001-shi(!)
SHBA-të kanë zgjatur emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, e cila u shpall në vitin 2001, për një vit tjetër, duke filluar nga 26 qershori.
Urdhri ekzekutiv që zgjat gjendjen e jashtëzakonshme u nënshkrua nga presidenti Trump më 20 maj.
Një dokument i botuar në Regjistrin Federal të SHBA-së thotë se siguria kombëtare dhe politika e jashtme e SHBA-së kërcënohen nga “veprimet e personave që marrin pjesë, ndihmojnë, sponsorizojnë dhe mbështesin dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut dhe gjetkë në Ballkanin Perëndimor, si dhe nga pengimi i zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit ose shkelja e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, raportoi.
Rezoluta 1244, e njohur edhe si Rezoluta e Kosovës, përcakton bazën ligjore ndërkombëtare për krijimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), përmes të cilit do të organizohet administrata civile në territorin e Kosovës, si dhe stacionimin e trupave ushtarake ndërkombëtare KFOR.
Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në vitin 2001
Teksti i Urdhrit Ekzekutiv thotë gjithashtu se “veprimet destabilizuese, korrupsioni dhe përpjekjet për të minuar sovranitetin e vendeve në rajon përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Urdhri Ekzekutiv që shpalli për herë të parë gjendjen e jashtëzakonshme për Shtetet e Bashkuara në lidhje me Ballkanin Perëndimor u shpall më 26 qershor 2001, gjatë mandatit të presidentit të atëhershëm të SHBA-së, George W. Bush.
Më 8 janar, përpara se presidenti i zgjedhur Trump të merrte detyrën, ish-Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14140, duke e zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me Ballkanin Perëndimor deri më 26 qershor të këtij viti. /tesheshi.com/