Connect with us
SYLA GROUP

Lajme

Një “masakër” kineze mbi gomerë

Published

on

Gati gjashtë milionë gomerë theren çdo vit për lëkurat e tyre, të cilat përdoren në mjekësinë tradicionale kineze për të bërë ilaçin “ejiao”, një numër që pritet të arrijë në shtatë milionë deri në vitin 2027, sipas OJQ-së “Streha e Gomerëve”.

Dikur rezervë ekskluzive e perandorëve në Kinë, ejiao është bërë i kërkuar dhe i konsumuar gjerësisht në mesin e klasës së mesme kineze. Përdoret për të përmirësuar qarkullimin e gjakut, për të ngadalësuar plakjen dhe për të rritur… libidon dhe pjellorinë. Është bërë një pjesë e rëndësishme e mjekësisë tradicionale kineze dhe tani zotëron një treg me vlerë mbi gjashtë miliardë dollarë. Kërkesa për “ejiao” është vazhdimisht në rritje, duke krijuar një cikël shpërthyes që prek jo vetëm Kinën, por edhe rajonet nga vijnë lëkurat e gomerëve.

Për të përmbushur këtë kërkesë në rritje, gati 5.9 milionë gomerë theren në të gjithë botën çdo vit, me këtë numër që pritet të arrijë në 6.8 milionë deri në vitin 2027. Kina, e cila dikur kishte një popullsi të madhe gomerësh, ka parë që numri i saj të bjerë ndjeshëm vitet e fundit.

Nga 11 milionë në vitin 1992, popullsia tani është zvogëluar në vetëm 1.5 milionë, bazuar në të dhënat deri në vitin 2023. Rezultati i kësaj rënieje është një zhvendosje drejt vendeve të tjera, kryesisht në Afrikë, për furnizimin me lëkurë.

Kërkesa për lëkurë ka shkaktuar një krizë të vërtetë tregtare, duke i kthyer gomerët në objekte shfrytëzimi dhe duke zhdukur popullatat lokale. Aktivitetet e paligjshme po lulëzojnë, me rrjete vjedhjesh që veprojnë në shumë vende afrikane.

Gomerët shpesh vidhen dhe theren natën, pa u ndëshkuar për autorët, ndërsa komunitetet lokale preken rëndë nga humbja e këtyre kafshëve, të cilat në shumë rajone janë pjesë integrale e jetës së tyre të përditshme. Gratë dhe fëmijët preken veçanërisht, pasi në Afrikë shpesh janë ata që marrin përsipër punën e lidhur me kujdesin për gomerët.

Situata është përkeqësuar nga rritja e vazhdueshme e kërkesës për “ejiao” në Kinë, e cila, siç theksojnë ekspertët, ka çuar në shfrytëzimin e grupeve më të cenueshme shoqërore dhe shkatërrimin e ekosistemeve që mbështeten te këto kafshë.

Organizata britanike Donkey Sanctuary raporton se rrjetet e paligjshme të tregtisë së lëkurës së gomarit vazhdojnë të lulëzojnë në shumë vende afrikane, pavarësisht përpjekjeve për të frenuar fenomenin.

Vlen të përmendet se në vitin 2024, Bashkimi Afrikan ndaloi tregtinë e lëkurës së gomarit në të gjithë kontinentin, me qëllim frenimin e shfrytëzimit të gomerëve dhe mbrojtjen e komuniteteve lokale nga pasojat e kësaj industrie mizore. Megjithatë, pavarësisht ndalimit, rrjetet ilegale vazhdojnë të veprojnë të pakontrolluara, ndërsa qeveritë dhe organizatat lokale po shtojnë përpjekjet për të zbatuar legjislacionin dhe për të goditur këto praktika kriminale.

Kjo situatë tregon kërkesën e madhe për produktin dhe ndikimin që ka në mirëqenien e gomarëve dhe komuniteteve lokale në Afrikë. “Streha e Gomerëve” thekson nevojën për një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për të kufizuar shfrytëzimin e paligjshëm të gomarëve dhe për të mbrojtur këto kafshë nga komercializimi i trupave të tyre për prodhimin e ilaçeve tradicionale. /tesheshi.com/