Connect with us
SYLA GROUP

Sport

Milani ofertë zyrtare për talentin shqiptar. Tare jep 30 mln euro

Published

on

AC Milan duket se po shfaq një interes të veçantë ndaj futbollistëve me origjinë shqiptare, duke treguar këtë përmes lëvizjeve të planifikuara në merkato. Fillimisht, klubi italian emëroi Igli Taren si drejtor sportiv, një lëvizje kjo që u pasua nga një ofertë drejtuar mesfushorit shqiptar të Zvicrës, Granit Xhaka, dhe së fundmi, interesimi për talentin Ardon Jashari.

Ardon Jashari, i cili cilësohet si një lojtar kyç për kombëtaren helvete, është bërë objektiv i rëndësishëm për Milanin. Klubi kuqezi dëshiron ta afrojë sa më shpejt lojtarin e talentuar dhe madje ka dërguar ofertën e parë zyrtare në drejtim të klubit belg Club Brugge.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, Milani ka ofruar zyrtarisht 27 milionë euro për kartonin e Jasharit, me 3 milionë euro të tjera të parashikuara në formë bonusesh, duke e çuar totalin e lëvizjes potenciale në 30 milionë euro. Kjo shumë konsiderohet afërsisht buxheti që Milani ka ndërmend të shpenzojë për transferimin e futbollistit. Megjithatë, raportet sugjerojnë se oferta mund të mos jetë e mjaftueshme për të bindur drejtuesit e Brugge të lejojnë largimin e Jasharit.

Situata komplikohet edhe nga interesi i klubeve të tjera evropiane për Jasharin, veçanërisht nga Anglia, ku transferimi i tij nuk do të përbënte ndonjë problem financiar.

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka komunikuar me drejtorin sportiv Igli Tare dhe drejtues të tjerë të klubit, duke shprehur qartë dëshirën e tij për të pasur futbollistin në ekip në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik. Pavarësisht dëshirës së trajnerit dhe ofertës së klubit, vendimi përfundimtar mbetet në dorën e Club Brugge.

Ardon Jashari cilësohet si një nga futbollistët që pritet të marrë rolin udhëheqës në mesfushën e kombëtares zvicerane në të ardhmen. Ndërkohë, Milani po vijon punën edhe për transferimin e Granit Xhakës nga Bayer Leverkusen, ndërsa zërat për një interesim për sulmuesin Armando Broja duket se nuk kanë qenë të vërtetë.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK