Kosovë
Kurti: Serbia mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Vidovdan
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se Serbia mund të përdorë “elemente destruktive” për të nxitur incidente gjatë festës serbe Vidovdan të shtunën në Gazimestan, rreth 10 kilometra nga kryeqyteti Prishtinë.
Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se Serbia do të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga protesta antiqeveritare që pritet të zhvillohet të shtunën në Beograd, duke nxitur incidente në Kosovë.
Kurti tha se – sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës – ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë “sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër”.
“Grupet e tilla kanë qenë tradicionalisht provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane”, tha Kurti.