Kosovë
Haradinaj përshëndet vendimin e Kushtetueses: Rrugëdalje nga bllokada, thirrje për zbatim të menjëhershëm
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se seanca konstituive e Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve dhe se partia më e madhe parlamentare, LVV ka detyrim për të kërkuar kompromis me subjektet tjera politike.
Haradinaj tha se AAK i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese jo për përfitime partiake, por për të gjetur një zgjidhje për bllokadën institucionale që e ka përfshirë vendin pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.
“Në një situatë të një bllokade totale të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit – një rast i padëgjuar për botën demokratike – kemi kërkuar rrugëdalje në Gjykatën Kushtetuese,” tha Haradinaj.
Ai u shpreh i lehtësuar që kërkesa e AAK-së është pranuar dhe që Gjykata ka nxjerrë një vendim që, sipas tij, krijon një bazë të qartë ligjore për tejkalimin e ngërçit.
“Këtë kërkesë tonën nuk e kemi shndërruar në çështje apo kauzë politike. Nga momenti i dorëzimit më 12 maj, nuk kemi bërë asnjë komunikim publik për të mos interferuar në vendimin e Gjykatës,” shtoi ai.
Haradinaj i bëri thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim partie apo përkatësie politike, që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të hapin rrugë për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja./Insajderi