Shqipëri
Gjykata merr vendimin për Ilir Metën, u vendos
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, do të vijojë të qëndrojë në burg pasi Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë me një formë më të lehtë dhe lirimin nga paraburgimi. Meta ndodhet në burg që prej muajit tetor të vitit të kaluar nën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u depozitua javën e kaluar në gjykatë nga avokati i Metës. Në këtë kërkesë, Meta argumentonte se në 8 muaj që nga arrestimi, SPAK nuk kishte përmbushur detyrimin ligjor për të bërë raportimet periodike dy-mujore në gjykatë mbi ecurinë e hetimeve. Gjithashtu, Meta theksonte se ai është numri dy i opozitës në vend, duke aluduar për një trajtim më të favorshëm.
Ndërkohë, burime pranë SPAK kanë bërë të ditur se hetimet kanë zbuluar së fundmi ekzistencën e një karte bankare shtesë, e cila dyshohet se është vënë në dispozicion nga një biznesmen dhe është përdorur nga ish-bashkëshortët Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Ky zbulim mund të ketë ndikuar në vendimin e gjykatës për të mos ndryshuar masën e sigurisë.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka dhënë një prononcim për gazetarët jashtë gjykatës. Ai ka deklaruar se prokuroria ka shkelur procedurat ligjore duke mos zhvilluar të paktën katër seanca të informimit mbi ecurinë e hetimeve në çdo dy muaj, siç parashikohet nga ligji.
Sipas avokatit Cakrani, “vendimi ishte i pritshëm”, duke e cilësuar edhe arrestimin e Metës si një akt të motivuar politikisht. “Ne nuk prisnim ndryshim të masës së sigurimit, sepse ne jemi të bindur që zoti Meta është aty për arsye politike. Nuk ka sot një president të dytë që një ish-kryeministër, ish-president, ish-kryetar kuvendi që akuzohet dhe pretendohet për akuza shumë të larta të paprovuara, të qendrojë në një masë sigurimi ekstreme siç është kjo e arrestit me burg”, ka theksuar avokati Cakrani, duke shprehur besimin se klienti i tij po mbahet në burg për shkaqe politike dhe jo ligjore.