Connect with us
SYLA GROUP

Religjion

Në vend të qumështit hedhin ujë (Tregim edukativ)

Published

on

A jeni edhe ju nga ata që në vend të qumështit hedhin ujë?

Tregohet se në një fshat kishte rënë uria, andaj plaku i fshatit u dha një detyrë të pazakontë të gjithë banorëve të atij fshati, në mënyrë që të përballeshin me thatësirën dhe urinë… Ai i njoftoi se do të vendoste në mes të fshatit një kazan të madh dhe se çdo burrë dhe grua duhet të hedhë në kazan një gotë me qumësht, me kusht që secili ta hedhë gotën vetë dhe që askush të mos e shohë. Njerëzit u ngutën për të përmbushur urdhrin e plakut të fshatit – të gjithë fshiheshin natën dhe derdhnin përmbajtjen e gotës që kishin sjellë. Në mëngjes, plaku e hapi kazanin… dhe çfarë pa??? Kazani ishte plot me ujë!!! Ku është qumështi? Pse secili banor kishte hedhur ujë në vend të qumështit? Secili kishte menduar me vete: “Nëse unë hedh një gotë ujë, kjo nuk do të ndikojë në sasinë e madhe të qumështit që do të hedhin të tjerët.” Kështu, të gjithë u mbështetën te të tjerët, dhe secili mendoi në të njëjtën mënyrë si të tjerët – se vetëm ai kishte hedhur ujë në vend të qumështit. Rezultati i kësaj ishte që uria e goditi këtë fshat dhe ata nuk gjetën rrugëdalje nga kriza.

A e di që edhe ti je ai që mbush gotat me ujë në kohët më të vështira – kur kërkohet prej teje t’i mbushësh me qumësht?

Kur nuk i ndihmon vëllezërve të tu të zbathur, të zhveshur, të uritur, ndërsa ti kënaqesh me një qese çipsa apo një gotë Coca-Cola duke u arsyetuar se ajo që bën ti nuk ka ndikim – ti po mbush gotën me ujë.

Kur nuk e kryen detyrën tënde me përkushtim duke e arsyetuar këtë me faktin se nuk do të vërehet në mesin e shumës së punëve që i bëjnë të tjerët – ti po mbush gotën me ujë.

Kur nuk e pastron nijetin (qëllimin) tënd në punën që bën, duke menduar se të gjithë të tjerët e kanë nijetin e pastër e që kjo nuk do të vërehet – ti po mbush gotën me ujë.

Kur nuk u jep pasurinë tënde të varfërve të umetit, duke menduar se të tjerët do të kujdesen për ta…

Kur e lë pa bërë lutjen për ndihmë, mëshirë dhe falje për të gjithë muslimanët…

Kur e lë dhikrin (përmendjen e Allahut), istigfarin (kërkimin e faljes) dhe namazin e natës…

Kur e humb kohën dhe nuk e përdor për mësim, për mësimdhënie dhe për thirrje në fenë e Allahut të Plotfuqishëm – ti po e mbush gotën me ujë!

Burimi: http://www.novihorizonti.ba//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK