Kosovë
LDK-ja dorëzoi kërkesën në ZRrE për anulimin e shtrenjtimit të rrymës
Sot, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dorëzuar një kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, me mbështetje edhe të deputetëve të tjerë, për anulimin ose shtyrjen e vendimit që ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Kërkesa gjithashtu përfshin anulimin e vendimit për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.
Zyra e Informimit e LDK-së njoftoi se kjo iniciativë kërkon të ndalojë pasojat negative që mund të vijnë nga vendimi i ZRrE-së, veçanërisht për ekonomitë familjare dhe sektorin e biznesit në vend.
Kërkesa e deputetëve të LDK-së dhe deputetëve tjerë nënshkrues të kërkesës janë:
1. Anulimi ose shtyrja e vendimit për së paku një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet realisht dhe bizneseve të përgatiten.
2. Zbatimi i konsultimeve të hapura dhe publike, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë.
3. Dorëzimi i analizës së plotë në Kuvend, menjëherë pas konstituimit të tij, së bashku me vendimin për liberalizim të tregut.
4. Anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, me zotimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët.
Deputetët theksojnë se në mungesë të një tregu funksional dhe konkurrues, çdo veprim i tillë për të larguar me forcë bizneset nga tregu i rregulluar do të ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe do të përbëjë shkelje të interesit publik.
Kjo kërkesë është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme
Iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës është nënshkruar nga 30 deputetë dhe është dorëzuar në ZRrE nga Nënkryetarja e LDK-së, znj. Hykmete Bajrami dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.
Ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë. Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Informimit të LDK-së.