Lajme
Del dokumenti: Kandidati i PS dhe miku i Ramës i dënuar për plagosje dhe armëmbajtje pa leje
Tiranë – Një denoncim i bërë publik nga kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Besir Çollkau, ka hedhur dritë mbi të kaluarën penale të kandidatit të Partisë Socialiste, Malaj – një emër i afërt me kryeministrin Edi Rama. Sipas dokumentit të publikuar, Malaj rezulton të jetë i dënuar më herët për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Çollkau ironizon figurën e kandidatit të majtë duke e cilësuar si “plagosësi i plagosur me armë”, duke shtuar se “çfarë nuk thotë kur qëllon”. Ai i referohet Malajt si një “ish-gardist që nuk flet pa leje”, dhe që sipas tij është detyruar të largohet nga Bashkia për të kandiduar si deputet – për të “mbyllur si ish” kapitullin e tij në administratën vendore.
“Problemi i tij paska qenë profesional, sepse i paskam nxjerrë një nga qindra dokumente që mbante firmë apo ‘firmë’ të tij. E nisim nga motet e para – pastaj ka të tjera: armë pa leje, dhe më pas me leje; plagosje me të parën, akuzë më e rëndë për të dytën”, shkruan Çollkau në denoncimin e tij.
Çështja merr përmasa më të gjera në dritën e hetimeve të vazhdueshme për ngjarjet e 21 janarit, ku sipas Çollkaut, Malaj ndodhet në listën e personave që mund të thirren për t’u marrë në pyetje nga SPAK, jo “si turist”. Ai shton me ironi se “5D e Bashkisë Mat ka bileta të mjaftueshme për SPAK”.
Denoncimi vjen në prag të fushatës elektorale dhe pritet të ndezë debate të reja në arenën politike, teksa strukturat ligjzbatuese dhe opinioni publik kërkojnë më shumë transparencë për figurat që aspirojnë të përfaqësojnë qytetarët në Kuvend.