OP / ED
T’i themi gjërat me emrin e vërtetë të tyre!
Shkruan: Rizvan Bela
Së pari, aspak nuk bëhet fjalë për ndonjë ide të madhe, por bëhet fjalë për fuqinë manipulative të partisë në pushtet (BDI), e cila ka vënë në shërbim të gjithë makinerinë propaganduese të cilën mund ta blejë me paratë e popullit! Pra, po flasim për kohë reklamuese nëpër televizione, të cilën BDI e blen/paguan me paratë tona, paratë e atyre shqiptarëve të cilët përçdo ditë i kërcënon dhe shantazhon duke i përkujtuar se “BDI ju ka punësuar!” Nuk bëhet fjalë për ide, por për një sërë portalesh kuazi informative të regjistruara nëpër zyrat partiake të BDI-së apo në adresat e shtëpive të zyrtarëve të saj, dhe eventualisht për ndonjë gazetar i cili, për arsye private personale ka zgjedhur të besojë në këtë iluzion!
Së dyti, le ta zbërthejmë pak këtë ide “të madhe”. Po fillojmë nga fakti themelor: kush e imponoi këtë temë? E imponoi partia politike e cila tashmë 12 PA NDËRPRERJE- po përsëris, PA NDËRPRERJE dhe gjithsej 16 vite është në pushtet! Pra, duke qenë në pushtet për 12 vjet pa asnjë ndërprerje, e pacënuar dhe e parrezikuar në qeverisje, me dominim absolut në kampin politik shqiptar, duke qenë partner i preferuar herë i njërës e herë i partisë tjetër maqedonase, BDI, në këto zgjedhje, sikur e rënë nga qielli, u kujtua dhe përnjëherë po flet për një kohë të re për shqiptarët.
Ndiqeni me kujdes retorikën e tyre: ata kanë organizuar fushatën rreth kujtimeve të vitit 2001, përnjëherë kanë rikthyer imazhet me uniforma, i thurrin lavde UÇK-së dhe xhirojnë klipe me rrëfime të protagonistëve të luftës së vitit 2001. Kujdes, këtë fushatë po e bën partia në pushtet dhe me pushtet pa ASNJË NDËRPRERJE PËR 12 vite!
BDI sivjet ka organizuar “Marshet e barazisë” dhe militantët e tyre shkojnë nëpër tubime duke brohoritur për barazi. Ky është kulmi i hipokrizisë politike! Këtu janë përmbledhur të gjitha arsyet përse njerëzit i urrejnë politikanët! Kjo është sjellja e cila shkakton apati, pakënaqësi, por edhe neveri ndaj politikanëve për vite të tëra. Në njërën anë marshojnë për barazi, e në anën tjetër përçdo ditë lavdërohen e krenohen e i përkujtojnë shqiptarët se “BDI i ka futur në punë”, sikurse administrata shtetërore të kishte qenë pronë private e tyre!!! Po edhe sikur të ishte pronë e tyre, ose të supozojmë se është vërtetë administrata e tyre, përse atëherë akoma marshojnë për barazi dhe nga kush janë të diskriminuar, duke qenë se vetë ata janë në pushtet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit e deri më sot!
Nga kjo ide e madhe, rrjedh vetëm dëshpërimi i madh: BDI, duke folur për diskriminim e barazi, e ka delegjitimuar në tërësi vetveten, misionin e saj politik dhe arsyet përse ka qenë pjesë e secilës qeveri deri më tani.
Për të konstatuar: ideja e kryeministrit të parë shqiptar paraqet vetëm formë, pra, reklamë politike për të cilën është paguar mirë ndonjë agjencion marketingu me paratë tona, për të na mashtruar neve!
Së treti, le t’i kthehemi pak përmbajtjes: BDI, peshën kryesore në këtë fushatë për kryeministrin e parë e ka përqëndruar tek numrat. Kryefjala tyre është pikërisht shpresa se pa numrat e tyre qeveria e re nuk do të jetë e mundur. Kjo është një thirrje e dëshpëruar, një qëndrim tragjik politik për një parti shqiptare e cilat vet ka qeverisur më gjatë se të gjitha partitë shqiptare bashkë që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Pra, “vizioni madhor, historik” i tyre bazohet tek kushtëzimi – nuk është pra fjala as që ka ardhur koha për barazi të plotë, as që BDI paska ndonjë ide kaq madhore. Ata thjesht po thonë: “Na i jepni numrat që të jemi EDHE NJËHERË në qeveri!