Religjion
Të jesh rob i Allahut është nderi më i madh
Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Allahut, që na udhëzon dhe na jep dritë përmes shembujve të të dërguarve të Tij. Salavatet dhe përshëndetjet tona janë për Pejgamberin a.s., për familjen e tij, për sahabët e ndershëm, për dëshmorët tanë dhe për të gjithë besimtarët e besimtaret!
Vëllezër e motra!
Të jesh rob i Allahut është nderi më i madh që mund të ketë njeriu në këtë jetë. Është një lidhje që nuk varet nga pasuria, pozita apo fama. Kjo lidhje e nderon njeriun në tokë dhe në qiell, dhe e mbron në kohë sprovesh dhe pasigurie.
Në suren Esh-Shu‘ara, Allahu na përkujton udhëtimin e Musait (a.s.) me popullin e tij:
“Ne i shpallëm Musait: ‘Nisuni natën me robërit e Mi, por do të ndiqeni!’”
(Esh-Shu‘ara: 52)
Shikoni si i quan Allahu: “robërit e Mi”. Ky është një nder që vjen nga lidhja e sinqertë me Allahun. Sepse këta njerëz kishin dalë nga robëria e Faraonit, por ishin lidhur me Zotin e tyre. Dhe Allahu i mbrojti, i udhëhoqi dhe i shpëtoi, për shkak të besimit dhe përulësisë së tyre para Tij.
Por çfarë ndodhi më pas?
“Shokët e Musait thanë: ‘Na zunë pas shpine!’”
(Esh-Shu‘ara: 61)
Tani nuk i quan më “robërit e Mi”, por vetëm “shokët e Musait”. Sepse frika dhe dyshimi i tyre treguan dobësim të besimit. Kur zemra humb lidhjen me Allahun, humbet edhe statusi i lartë i të qenit rob i Allahut xh.sh.
Vëllezër e motra,
Ky është një mësim i madh për ne sot: nderi i vërtetë nuk qëndron në atë që kemi, por në atë që jemi në lidhje me Allahun. Ne nuk jemi askush nëse nuk jemi robër të Allahut. E nuk ka nder më të madh sesa kur Allahu të quan “rob i Im”.
Profeti Muhamed a.s. në shumë raste në Kuran është përmendur me cilësinë më të lartë: “abd” – rob. Në momentet më madhështore, Allahu nuk e cilëson si prijës, as si i dërguar, por si rob të Tij:
“I Lavdëruar është Ai që e shëtiti robin e Tij natën…”
(Isra: 1)
Kjo ishte gjatë Isra-së dhe Miraxhit – ngjarja më madhështore në jetën e Pejgamberit a.s., dhe Allahu e quan “robin e Tij”.
Në literaturën islame thuhet se Umer ibn Hattabi r.a., kur u bë halifë, u bë shumë i kujdesshëm që të mos e shihte veten mbi të tjerët. Një ditë dikush i tha: “O udhëheqës i besimtarëve, ti je zotëria jonë !”. Umeri u zemërua dhe tha: “Unë nuk jam zotëria juaj. Zoti jonë është Allahu. Unë jam vetëm një rob prej robërve të Tij.”
Kjo është madhështia e vërtetë – të jesh rob i Allahut me zemër, jo me fjalë. Të jesh i përulur ndaj Tij në çdo situatë, dhe të mbështetesh vetëm tek Ai.
Pejgamberi a.s. ka thënë në një hadith kudsij:
“Allahu i Lartësuar thotë: ‘Robërit e Mi më janë më të dashur se çdo gjë tjetër, dhe Unë jam me ta kur më përmendin. Nëse më përmendin në veten e tyre, Unë i përmend në Veten Time; nëse më përmendin në një tubim, Unë i përmend në një tubim më të mirë…” (Buhariu & Muslimi)
A ka nder më të madh se të të përmendë Allahu vetë?
Vëllezër e motra, nëse duam të kemi këtë status të lartë, duhet ta ruajmë besimin, ta përforcojmë lidhjen tonë me Zotin tonë dhe të mbështetemi vetëm tek Ai, në çdo situatë. Ta adhurojmë Atë me sinqeritet, në fshehtësi dhe në dukje, në rehati dhe në vështirësi.
Allahu na bëftë gjithmonë prej robërve të Tij të sinqertë dhe na jep nderin e vërtetë në këtë botë dhe në botën tjetër! Amin!
(Hutbe e xhumasë, nga hfz. Mehas Alija, më 27.06.2025, në xhaminë El-Hidaje)