Lajme
Limaj i përgjigjet Haradinajt, konfirmon pjesëmarrjen në tryezën e Kurtit: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo teatër politik
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës dhe ftesën për tryezë nga kryeministri Albin Kurti.
Limaj ka theksuar se qëndrimi i NISMA-s menjëherë pas zgjedhjeve për gatishmërinë për dialog me çdo lider politik ishte i drejtë dhe i bazuar në realitetin se pa marrëveshje mes partive nuk do të kishte as konstituim të Kuvendit dhe as formim të Qeverisë.
“Sot, kur të gjithë liderët janë ftuar në tryezën e Kurtit dhe po pranojnë nevojën për marrëveshje, është e rëndësishme të kujtojmë se kjo nuk është rrugë e re, por ajo që ne kemi propozuar muaj më parë! Një rrugë që u kontestua, u nënvlerësua dhe u shoqërua me linçim publik,” tha Limaj, duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Ramush Haradinajt, i cili në ftesën e Kurtit delegoi deputeten Time Kadriaj dhe e kritikoi Limajn për gatishmërinë për dialog.
Limaj shtoi se vendimi i Kushtetueses sqaron qartë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon marrëveshje politike dhe jo bllokim, taktika apo shfaqje publike. Ai kritikoi periudhën e kaluar për akuza, ndarje dhe hipokrizi politike, duke theksuar se qëndrimi i NISMA-s ka qenë dinjitoz dhe në shërbim të vendit.
Ai gjithashtu konfirmoi se nesër do të marrë pjesë në tryezën e ftuar nga Kurti për të ndarë të njëjtin qëndrim politik.
“Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime,” përfundoi Limaj.