Shqipëri
Lajme të këqija te Kombëtarja para ndeshjes me Letoninë, kjo nuk duhej!
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sonte në fushën e “Skonto Stadions” në Riga për të sfiduar Letoninë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ndeshja do të fillojë në orën 20:45. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar zyrtarisht se mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për këtë përballje për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë.
Në njoftimin e publikuar nga Departamenti i Komunikimit i FSHF-së thuhet se Ajeti ka shfaqur një shqetësim muskulor në kofshën e majtë dhe gjatë ditës së djeshme është stërvitur veçmas grupit. Pavarësisht trajtimeve të vazhdueshme nga stafi mjekësor i kombëtares, Ajeti nuk ka arritur të rikuperohet në kohë për të qenë pjesë e formacionit për ndeshjen e sotme ndaj Letonisë.
Shqipëria udhëton drejt Letonisë pas barazimit 0-0 të arritur të shtunën në Tiranë kundër Serbisë. Aktualisht, kombëtarja shqiptare renditet në vendin e dytë në Grupin K kualifikues për Kupën e Botës me 4 pikë, pas Anglisë që kryeson grupin. Letonia ndodhet në vendin e tretë me 3 pikë, Serbia ka 1 pikë, ndërsa Andorra është ende pa pikë. Mungesa e Arlind Ajetit përbën një sfidë shtesë për trajnerin Sylvinho në organizimin e mbrojtjes për këtë takim të rëndësishëm.
Kujtojmë po ashtu se edhe kapiteni Berat Gjimshiti do të mungojë për shkak kartonash.