Connect with us
SYLA GROUP

Lajme

Kush është “më i fortë” – Izraeli apo Irani?

Published

on

Konflikti i Izraelit me Iranin mund të duket si një përballje e pabarabartë në letër – një komb me nëntë milionë banorë përballë një gjiganti të Lindjes së Mesme me 88 milionë banorë.

Por forcat ushtarake të fuqishme dhe të sofistikuara të Izraelit – me një arsenal kryesisht, por jo ekskluzivisht, të siguruar nga Shtetet e Bashkuara – duket se po e ndihmojnë atë të godasë një armik shumë më të madh.

Mediumi britanik BBC ka bërë një analizë të ekuilibrit ushtarak në këtë luftë të fundit në Lindjen e Mesme.

Çfarë ka arritur Izraeli deri tani?

Sipas BBC, Izraeli tashmë pretendon se ka marrë kontrollin e qiellit mbi Teheran. Ka qenë një pabarazi e plotë në ajër – pa asnjë shenjë që aeroplanët luftarakë të vjetër të Iranit të jenë ngritur në fluturim.

Flota e aeroplanëve modernë amerikanë të Izraelit ka qenë në gjendje të lëshojë bomba të drejtuara nga afër – pa ndonjë shqetësim serioz për rrëzim.

Shumica e kërcënimeve nga mbrojtja ajrore e Iranit u shkatërrua në një sulm izraelit më parë në tetor – duke përdorur armë me rreze të gjatë për të goditur sistemet raketore S-300 të Iranit.

Në ditët e fundit, forcat ajrore izraelite kanë vazhduar të godasin radarët tokësorë dhe lëshuesit e raketave.

Edhe para fillimit të sulmit, Izraeli kishte agjentë të inteligjencës brenda Iranit për të sabotuar kundërpërgjigjen e tij.

Agjentët e Mossad përdorën dronë të futur fshehurazi në vend për të goditur sistemet e mbrojtjes ajrore të mbetura.

Sulmet izraelite gjithashtu kanë eliminuar shumë nga komanda e lartë e ushtrisë iraniane, gjë që ka dobësuar ndjeshëm reagimin e Teheranit.

A mundet të kundërpërgjigjet Irani?

Përpara sulmeve izraelite, Irani kishte atë që SHBA e quante “arsenali më i madh i raketave balistike në Lindjen e Mesme” – me 2,000 deri në 3,000 raketa, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Disa nga këto raketa dhe fabrikat ku prodhoheshin janë goditur tashmë. Ushtria izraelite thotë se ka shkatërruar një të tretën e lëshuesve tokë-tokë të Iranit.

Megjithatë, Teherani ka arritur ende të lëshojë valë pas vale raketash drejt Izraelit, dhe disa prej tyre kanë depërtuar nëpër sistemet e mbrojtjes ajrore të avancuar të Izraelit.

Pavarësisht dëmeve, programi raketor iranian nuk është asgjësuar plotësisht dhe mbetet kërcënimi më i madh për Izraelin.

Irani ka ende shumë raketa mbrojtëse me rreze të shkurtër veprimi, dhe sipas ekspertit Justin Bronk nga instituti RUSI, Izraeli mund të pretendojë epërsi ajrore mbi Teheranin, por jo dominim të plotë.

A ka aleatë Irani – dhe çfarë mund të bëjnë ata?

Prej vitesh, Irani ka mbështetur Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban me ndihmë ushtarake, armë dhe teknologji.

Por aftësia e tyre për të kërcënuar Izraelin është dobësuar ndjeshëm: Hamasi është pothuajse shkatërruar në Gaza, ndërsa Hezbollah është dobësuar aq shumë sa nuk ka reaguar ndaj sulmit kundër Iranit.

Edhe pse më larg, rebelët Huthi në Jemen kanë arritur të lëshojnë herë pas here raketa drejt Izraelit.

Ata kanë mbijetuar një fushatë bombardimi të vazhdueshëm nga SHBA më herët këtë vit dhe kanë rrëzuar disa dronë amerikanë Reaper.

A mund të përfshihen edhe vende të tjera?

Irani ka aftësinë të godasë interesa perëndimore në rajon. Militantë të mbështetur nga Irani në Irak kanë shënjestruar baza ushtarake perëndimore.

Dhe SHBA dhe Britania e Madhe po përgatiten për më të keqen.

Forcat detare të SHBA dhe Britanisë së Madhe janë të pranishme në Bahrein. Dhe sa më gjatë të zgjasë kjo luftë, aq më i madh rreziku për trupat perëndimore.

Irani ka gjithashtu mundësinë të bllokojë ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.

Edhe pse për momentin mund të mos i leverdisë Teheranit të zgjerojë konfliktin, ai mund ta bëjë këtë nëse vendos.

A mund ta arrijë Izraeli objektivin e tij?

Izraeli është në avantazh, por vazhdimi i fushatës së tij ushtarake varet kryesisht nga mbështetja amerikane, thekson BBC, përcjell Telegrafi.

Izraeli merr miliarda dollarë ndihmë ushtarake nga SHBA çdo vit. Shumica e armëve që përdoren nga avionët e tyre janë të prodhuara në SHBA, përfshirë raketat interceptuese të sistemit Iron Dome.

Bombat speciale për depërtimin e bunkerëve që Izraeli ka përdorur kundër programit bërthamor iranian janë gjithashtu nga SHBA.

Presidenti Donald Trump deri tani ka lejuar përdorimin e tyre, por raportohet se ka ndaluar një sulm izraelit ndaj udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

SHBA gjithashtu nuk i ka dhënë Izraelit qasjen në armën që ndoshta do të ishte e nevojshme për të shkatërruar kompleksin bërthamor nëntokësor të Fordow – bombën gjigante “Massive Ordnance Penetrator”, e cila mund të transportohet vetëm nga bombarduesit strategjikë amerikanë B2.

Edhe me mbështetje të vazhdueshme ushtarake nga SHBA, mundësitë e Izraelit për të arritur qëllimet e tij janë të kufizuara.

Fushata ajrore mund ta ngadalësojë programin bërthamor të Iranit, por nuk mund ta shkatërrojë plotësisht atë. Ndërsa përmbysja e regjimit iranian duket pothuajse e pamundur.

Fushatat ajrore krijojnë frikë, kaos dhe rrënoja. Por siç tregojnë rastet e Libisë në 2011 apo fushata aktuale në Gaza – ato rrallë përfundojnë me një fitore të qartë.

NA NDIQ NË FACEBOOK