Lajme
Udhëheqës perëndimorë që kundërshtojnë fuqishëm Izraelin, me gojën plot: “Shtet gjenocidal!”
Udhëheqësit perëndimorë kritikuan ashpër të mërkurën luftën e Izraelit në Gaza, vrasjen e mijëra të pafajshëmve, si dhe krizën alarmante humanitare që qeveria e Benjamin Netanyahut i ka imponuar Rripit të shkatërruar.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dënoi veprimet e Izraelit në Gaza, duke e quajtur atë një “shtet gjenocidal” dhe duke theksuar se Spanja “nuk bën biznes me një vend të tillë”.
Gjatë një seance parlamentare në Madrid, Sanchez iu përgjigj kritikave nga deputeti Gabriel Rufiano i Partisë Katalanase, i cili e akuzoi atë se, pavarësisht luftës në Gaza, Spanja vazhdon të ruajë marrëdhënie tregtare me Izraelin.
Kjo është hera e parë që Sanchez ka përdorur publikisht termin “shtet gjenocidal” në kontekstin e Izraelit, një term që më parë është përdorur shpesh nga Zëvendëskryeministrja e Dytë e Spanjës, Yolanda Diaz, sipas mediave në Gadishullin Iberik.
Meloni: Krizë dramatike dhe e padrejtë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se kryeministri izraelit Netanyahu duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare.
“Në muajt e fundit, kam folur disa herë me kryeministrin Netanyahu, shpesh kanë qenë biseda të vështira në të cilat gjithmonë kam bërë thirrje për urgjencën e gjetjes së një mënyre për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të respektuar ligjin ndërkombëtar dhe humanitar”, tha Meloni.
“E përsëris kërkesën sot, sepse po përballemi me një situatë humanitare në Gaza, të cilën e përcaktoj si gjithnjë e më dramatike dhe të pajustifikuar”, theksoi ajo.
Ministrja e re e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, akuzoi Izraelin se po përdor mungesën e ushqimit si mjet në operacionin e tij në Gaza dhe bëri thirrje për vazhdimin e punës për një armëpushim me Hamasin.
“Nuk mund të lejojmë përdorimin e vazhdueshëm të ushqimit si mjet politik… Mbi 50,000 njerëz kanë vdekur si pasojë e agresionit kundër palestinezëve dhe popullit të Gazës në Palestinë. Përdorimi i ushqimit si mjet politik është thjesht i papranueshëm”, tha Anand, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Macron: Situata më kritike deri më tani
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se situata në Gaza ishte aktualisht “më kritikja që kemi parë ndonjëherë”, duke shtuar se “zhvendosja me forcë e popullsisë palestineze” e parashikuar nga Izraeli ishte “një përgjigje e papranueshme”.
“Asnjëherë, kurrë për kaq kohë popullsia nuk ka qenë larg ndihmës mjekësore, pa mundësinë e shpëtimit të të plagosurve, larg ushqimit, ilaçeve dhe ujit”, paralajmëroi presidenti francez.
Macron i bëri përsëri thirrje Izraelit të hapë kalimin e ndihmës humanitare për në territorin palestinez, të cilin e ka bllokuar që nga 2 marsi.
Më shumë se 52,900 palestinezë të vrarë
Për javë të tëra, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe OJQ-të kanë lëshuar paralajmërime për rrezikun e urisë në Gaza. Qeveria izraelite pretendon se bllokada synon ta detyrojë Hamasin të lirojë pengjet që mban ende në Rripin e Gazës nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Lufta e Izraelit në Gaza deri më tani ka vrarë më shumë se 52,900 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.
Izraeli pushtoi Gazën në hakmarrje për një sulm të Hamasit ndaj komuniteteve jugore izraelite më 7 tetor 2023, vendosur në tokë palestineze me forcën e armëve. /tesheshi.com/