Lajme
SHBA, tezë e re për Gazën
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, hodhi poshtë të martën raportet që sugjeronin se Uashingtoni po planifikon të deportojë palestinezët nga Rripi i Gazës në Libi.
Rubio theksoi se çdo bisedë rreth zhvendosjes ka të bëjë vetëm me marrëveshje vullnetare dhe jo me deportim të detyrueshëm.
“Jo, nuk ka deportim. Kemi folur me disa vende rreth mundësisë që, nëse dikush zgjedh vullnetarisht dhe me dëshirë, të mund të zhvendoset“, i tha Rubio Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ai shpjegoi se këto zhvendosje të mundshme do të ishin një masë e përkohshme që synonte zbutjen e krizës aktuale humanitare, jo një zgjidhje e përhershme.
“Ne nuk duam që njerëzit të mbeten të bllokuar në atë mjedis. Disa mund të duan të kthehen dhe disa mund të duan të qëndrojnë diku tjetër, por tani për tani nuk e kanë këtë mundësi”, shtoi Rubio, duke theksuar se këto rregullime parashikohen si një “urë për rindërtimin” e situatës.
Rubio deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë kontaktuar disa vende për të kontrolluar gatishmërinë e tyre për të pranuar palestinezët për një periudhë të përkohshme. Megjithatë, ai nuk ishte në dijeni të informacionit rreth negociatave që përfshinin Libinë.
Ambasada amerikane në Libi i konfirmoi këto pikëpamje, duke i quajtur raportet për zhvendosjen e palestinezëve në Libi “krejtësisht të pabaza”.
Këto mohime vijnë pasi një raport i NBC News të premten sugjeroi se administrata Trump po shqyrtonte mundësinë e zhvendosjes së përhershme të deri në një milion palestinezëve nga Gaza në Libi, në këmbim të zhbllokimit të miliarda dollarëve në asetet libiane, raporton Anadolu. /tesheshi.com/