Connect with us

Religjion

Ji njeri edhe kur të kafshojnë

Publikuar

Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve. Le të sjellim salavate dhe selam mbi të dërguarin e fundit dhe të dashurin të Allahut, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër të dashur, po e këshilloj veten dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.

I Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Një njeriu që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”

Të dashur vëllezër, më lejoni sot, që t’ia drejtoj vetes dhe juve disa pyetje për të cilat, ndoshta të gjithë kemi menduar ndonjëherë:

Pse jemi këtu (në këtë botë)?

Cili është qëllimi i jetës sonë?

A jemi krijuar vetëm që të punojmë, të ndërtojmë, të blejmë, të hamë, të pimë, të flemë dhe të kujdesemi për veten, apo, megjithatë, qëllimi ynë dhe jeta jonë, është diçka më shumë se kaq?

Allahu i Plotfuqishëm në Kuran thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më bëjnë ibadet.” (edh-Dharijat, 56)

Çfarë do të thotë t’i bësh ibadet (adhurim) Allahut? Si duket ky adhurim në jetën tonë të përditshme? A do të thotë vetëm fal namaz, agjëro, shko në xhami, lexo Kuran, jep sadaka… apo adhurimi i Allahut është shumë më tepër se kaq?

Kjo do të thotë, që me jetën tonë, me sjelljen tonë, me marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me natyrën, të jemi shenjë e mëshirës së Allahut në Tokë.

Të dashur vëllezër, Allahu na ka krijuar që të jemi të dobishëm. Që të jemi prej atyre që lehtësojnë, e jo prej atyre që e vështirësojnë. Që të jemi prej atyre që lënë gjurmë të mirësisë kudo që të kalojnë. E jo që të themi: “Çka më intereson mua!”

Sigurisht, nuk duhet të na interesojnë mëkatet dhe të metat e të tjerëve. Nuk duhet të gërmojmë në jetën e të tjerëve. Por kur shohim se fqinji është në hall, vëllai po divorcohet, motra po lufton me sëmundjen, fëmija nuk ka çantë për shkollë, kafsha po vuan… atëherë, këtu nuk kemi të drejtë të themi: “Çka më intereson mua!”

Pejgamberi (savs) thotë qartë: “Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bën padrejtësi, as nuk e lë në vështirësi.”

Ashtu siç jemi të detyruar të jemi pranë fqinjit tonë, pranë vëllait tonë musliman, në momentet e pikëllimit dhe vështirësive, po ashtu jemi të detyruar që të jemi me ta edhe në momentet e suksesit dhe të gëzimit.

Sepse suksesi i tij është edhe suksesi im dhe suksesi yt, kurse dhimbja e tij është edhe dhimbja ime dhe dhimbja jote.

Vetëm një shoqëri e ndërtuar mbi këto parime mund të jetë shoqëri e lumtur, kështu na mëson feja jonë e bukur, por edhe natyra. Sepse, nëse e shikojmë natyrën përreth, do të shohim se lumi nuk e pi ujin e vet; pema nuk i ha frytet e saj; Dielli nuk e ngroh vetëm veten, shiu nuk bie për ta kënaqur veten, lulja nuk lëshon aromë për vete… Gjithçka në natyrë jeton që të jetë në dobi të tjetrit.

Ndërsa ne njerëzit, i harrojmë të gjitha këto dhe përpiqemi të jetojmë vetëm për vetveten dhe për shkak të vetvetes! Dhe kur na pyesin: pse nuk e ndihmove fqinjin në hall? Pse je xheloz për suksesin e tij? Ne themi: “Po ti e di çfarë më ka bërë ai mua?”

Prandaj, të dashur vëllezër, dëgjojeni këtë tregim:

Një njeri pa se si një gjarpër po ngordhte në zjarrin, i cili e kishte përfshirë arën aty pranë. Nuk mundi të duronte vuajtjen e tij, andaj vendosi ta nxirrte nga zjarri. Kur e nxori, ai e kafshoi. Njeriu ndjeu dhimbje dhe e përplasi gjarprin nga dora, i cili ra përsëri në zjarr. Duke parë çfarë kishte bërë, ai mori një tërfurk dhe e nxori gjarprin nga flaka. Fqinji i tij pa çfarë ndodhi dhe i tha: “O njeri, gjarpri të kafshoi, kurse ti përsëri po e shpëton? Pse!?” Njeriu e shikoi dhe tha: “Natyra e tij është të kafshojë, por kjo nuk duhet ta ndryshojë natyrën time, që është të ndihmoj!”

Pejgamberi (savs) thotë: “Më të mirët janë ata që janë më të dobishëm për njerëzit e tjerë!”

Të dashur vëllezër, ky është ligji i Allahut! Ky është thelbi i fesë sonë dhe i edukimit tonë islam.

Ji i dobishëm. Mos lejo që ligësia e të tjerëve ta vrasë të mirën tënde. Mos lejo që egoizmi i të tjerëve të të shndërrojë në koprrac. Mos lejo që të jesh i mirë vetëm kur të kthehet e mira, sepse ajo nuk është mirësi – ajo është interes. Mirësia është të jemi njerëz që japin të mirën, edhe kur nuk u kthehet me të mirë.

Të dashur vëllezër, të mbajmë në mend: Jeta është e mirë kur ne jemi të lumtur, por është shumë më e mirë kur edhe të tjerët janë të lumtur për shkak nesh.

Prandaj, mos t’ia kthejmë shpinën njëri-tjetrit. Mos të themi: “Çka më intereson mua!” Por të themi: “Ai është vëllai im. Ajo është motra ime. Unë jam musliman. Unë ndihmoj.”  Kjo është forca e besimit. Kjo është zemra e Islamit.

O Zoti ynë, na bëj neve burim të së mirës.

Na dhuro zemër që nuk ndalet së dashuruari, edhe kur është e plagosur.

Na dhuro butësi që nuk shteron, edhe kur përreth nesh është thatësirë shpirtrash.

Na bëj njerëz, që buzëqeshja e tyre shëron, që prania e tyre sjell qetësi dhe që fjalët dhe veprat e tyre lënë gjurmë.

Na dhuro forcë që ta ndajmë gëzimin me të tjerët, që të mos kemi zili për lumturinë e të tjerëve, por që ta përjetojmë si tonën bashkë me ta.

Na dhuro shpirtra që nuk e harrojnë qëllimin e tyre. Amin! 

Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK