Shqipëri
Balluku i përgjigjet akuzave: Nuk i njoh drejtorët e Fierit, nuk t’i japin ata votat
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Fierin, Belinda Balluku, pati një lidhje live me emisionin “Opinion”. Ajo theksoi se mandati i 12 i fituar në këtë qark erdhi si pasojë e mbështetjes plebishitare nga fierakët, pasi sipas saj, kanë votuar edhe shumë të djathtë. Balluku u shpreh se zgjedhësit shqiptarë nuk shkojnë më për tifozëri.
“Ka filluar që të vlerësojë CV e atij që i ulet përballë. Pra çfarë ka bërë ky personazh, ky politikan që ulet me të në një takim, në një tryezë”, tha Balluku.
Ajo theksoi se vetë personalisht shkoi në qark me një program politik. Ndryshe flet për kundërshtarët.
“Skuadra kundërshtare ka zgjedhur të bëjë fushatë përmes Facebook pa takuar njerëz duke akuzuar kundërshtarët dhe duke mos premtuar asgjë”, tha ajo.
Një nga akuzat që i janë bërë Partisë Socialiste është edhe fakti që ka përdorur administratën në zgjedhje. Balluku theksoi se nuk i njeh drejtorët e administratës së Fierit. Ajo theksoi se takimet bëhen pasdite dhe nuk t’i fitojnë ata zgjedhjet.
“Personalisht unë nuk i njoh drejtorët që janë në administratën e Fierit, në daç besoje këtë, në daç mos e beso. Nëse ka drejtorë që janë struktura partie nga kohë përpara, ata vazhdojnë jetën e tyre, takimet bëhen pasdite, nuk bëhen në mëngjes. Drejtorët e Fierit, as kam interes që t’i përfshija në fushatë pasi ashtu siç mund të kenë ndonjë aftësi për të ndihmuar, nga ana tjetër më shumë prish punë administrata të siguroj për këtë sepse sido që të jetë, një administratë krijon dhe pakënaqësi. E kam parim këtë gjë, por është shumë e vështirë që ta shpjegosh. Nuk t’i japin votat drejtorët. Do i referohem prapë 2013-ës. I kishte Sali Berisha gjithë drejtorët. Duhet ta harroni këtë sepse bëhen akuza, por nuk po shohim faktet”, tha Balluku.
The post Balluku i përgjigjet akuzave: Nuk i njoh drejtorët e Fierit, nuk t’i japin ata votat first appeared on JavaNews.al.