Lajme
Vrasja MAKABRE e Ilaria Sulës/ Dëshmitë e shokëve të autorit: Atë natë flirtoi me dy turiste, ai është një përbindësh!
ITALI– Hetimet për vrasjen e Ilaria Sulës vazhdojnë dhe ajo që del në dritë nga rrëfimet e personave që kanë takuar Mark Samson mbas aktit të rëndë i përngjet një filmi horror. Sipas asaj që i tha Prokurorisë një mik i Mark Samsonit, detajet janë rrëqethëse. Maher Abouzeid, një 23-vjeçar, tregoi se ka pirë një pije në një lokal në qendër të Romës me vrasësin. Por, po ashtu, tregon se vrasësi ka flirtuar edhe me dy turiste të huaja.
Sipas mediave italiane, Maher Abouzeid, një banakier 23-vjeçar, gjysmë filipinas, gjysmë egjiptian, tha se miku i tij ishte krejtësisht i qetë dhe po qeshte me dy miqtë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
“Marku është një përbindësh, në ato ditë më përdorte mua dhe shokët e tjerë për të zhdukur dyshimet nga vetja. Kur e pashë atë mbrëmje, dora e tij ishte e fryrë dhe e kuqe. Kur e pyetëm na tha se një natë më parë ishte zënë me dy djem poshtë shtëpisë së Ilarias. Kështu kaluam mbrëmjen bashkë dhe u shoqëruam me 2 turiste. Qëndruam me to deri në tre të mëngjesit. Madje na ftuan në banesën e tyre. Isha pothuajse i lumtur: mendova se kishin nevojë për një natë seksi. Nuk mund ta imagjinoja që Ilaria tashmë kishte vdekur,”-tregoi i riu.
Sipas rrëfimit të banakierit, Marku, edhe pse kishte pasur një ofertë që të kalonte natën me to, u kishte thënë lamtumirë vajzave, duke iu shpjeguar se duhet që të flinte në shtëpinë e tij.
“Nuk donte që ta linte larg makinën e tij. Duke sikur e tmerronte ideja që t’i qëndronte larg makinës. Ishte një reagim i çuditshëm. Dua të shpresoj që në ato momente trupi i Ilarias nuk ishte në bagazhin e mjetit.”
Megjithatë, sipas hetuesve, trupi i vajzës ishte fshehur në bodrum për një kohë që ende nuk është konstatuar. Samson pretendon se e ka kryer vrasjen në orën 23.00, më 26 mars; ndërsa hetuesit besojnë se e reja mund të jetë vrarë një natë më parë sesa thotë autori.
Abouzeid tha se u takua sërish me Markun më 31 mars.
Por inskenimi nuk u mbyll me aq.
“Në mëngjes, kur ishim në shtëpinë time, ai ishte mbyllur në tualet dhe në atë moment u shfaq një “Story” në profilin e Ilaria-s në Instagram, ku shkruhej: Jam mirë dhe i falënderoj të gjithë. Në të njëjtën orë ai më tregoi edhe për një letër, sipas tij të shkruar nga ajo, të cilën ia kishte dhënë në takimin e tyre të fundit. Atë mbrëmje na ndaloi një patrullë për një kontroll rutinë, por ai ishte jashtëzakonisht në siklet. Më pas ditët në vijim u gjet trupi dhe u bë arrestimi i tij. Bota ime u shkatërrua.”