Shqipëri
Jupi: Politika nuk është mjeshtëri manipulimi, por mision për të shërbyer
Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, zhvilloi sot një takim me qytetarët e Njësisë 11, në zemër të Laprakës, ku u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një politikë të bazuar në përgjegjësi dhe jo në spektakël.
E shoqëruar nga kryetari i degës së Koalicionit Euroatlantik në këtë njësi, z. Neritan Vladi, si dhe nga aktivistët e angazhuar të fushatës, Jupi theksoi se qytetarët e Laprakës nuk kërkojnë lëmoshë apo privilegje, por një shtet funksional që mbron të drejtat e tyre dhe garanton një të ardhme më të mirë.
Sipas Jupit, ndryshimi nuk do të vijë nga lart poshtë, por nga rrënjët e shoqërisë – nga ata qytetarë që kërkojnë vepra e jo fjalë.
Postimi i plote
Sot pata kenaqësinë të jem mes qytetarëve të Njësisë 11 në Tiranë, në zemrën e Laprakës.
Aty ku jeta nuk është spektakël politik, por përpjekje e përditshme për të mbajtur familjen, për të rritur fëmijët me ndershmëri, për të jetuar me dinjitet.
Bashkë me kryetarin e degës 11 të Koalicionit Euroatlantik, z. Neritan Vladi, dhe aktivistët tanë të palodhur, dëgjuam me vëmendje qindra zëra, njerëz që nuk kërkojnë lëmoshë, por drejtësi. Që nuk kërkojnë privilegje, por shtet që funksionon.
Lapraka flet qartë: qytetarët janë lodhur nga premtimet e zbrazëta dhe po kërkojnë veprim. Po kërkojnë që Shqipëria të drejtohet nga njerëz që e kuptojnë jetën reale, jo nga ata që sillen si pronarë të vendit. Po kërkojnë politika që mbështesin shtresën e mesme, mbrojnë vlerën e punës dhe garantojnë një të ardhme të merituar për fëmijët e tyre.
Sot nuk folëm për pushtet. Folëm për përgjegjësi. Sepse politika nuk është mjeshtëri manipulimi, por mision për të shërbyer. Dhe unë jam këtu për të shërbyer, jo për të kërkuar pushtet.
Njësia 11 është një shembull i gjallë i asaj që unë besoj thellësisht: Shqipëria nuk do të ndryshojë nga lart poshtë, por nga rrënjët e saj, nga qytetarët që nuk kërkojnë premtime, por vepra.
#vototaulandajupi