Connect with us

Lajme

“Mashtrimi e ka emrin Alban Hyseni”, punët e pakryera u paraqitën si të përfunduara? Opozita me akuza e demantime ndaj kryetarit të Gjilanit

Published

on

Alban Hyseni i Gjilanit është duke u akuzuar për mashtrim lidhur me dy projekte infrastrukturore. Opozita e ka demantuar raportin vjetor të kryetarit se rruga “Adem Jashari” dhe “Zija Shemsiu” nuk janë ndërtuar siç është raportuar, dhe se infrastruktura nëntokësore për energjinë elektrike nuk është realizuar. Nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje. Insajderi ju sjell detaje.

Gazeta Insajderi

Anëtarëve të Kuvendit Komunal në Gjilan iu është dërguar raporti një vjeçar i punës së kryetarit. Në këtë raport janë cekur edhe dy pika, me të cilat opozita po i demanton, duke akuzuar Alban Hysenin për mashtrim.

Pika numër 6 thuhet: Është ndërtuar infrastruktura nëntokësore e energjisë elektrike në rrugën “Adem Jashari” me një vlerë prej 250,000 euro.

Si dhe pika numër 7 thuhet: Është realizuar ndërtimi dhe rikonstruktimi i rrugëve “Adem Jashari” dhe “Zija Shemsiu” me një vlerë totale pre 349,879,21 euro.

Raportin vjetor nga kryetari Hyseni, në pikat 6 dhe 7, PDK dega Gjilan e ka demantuar, se nuk janë përfunduar këto projekte, duke publikuar edhe foto të gjendjes aktuale të këtyre rrugëve.

Sipas tyre kjo që po ndodh është tallje me qytetarët e Gjilanit, pasi rruga Adem Jashari dhe Zijah Shemsiu jo vetëm që janë ndërtuar pa asnjë standard, por edhe në raportin vjetor të komunës paraqiten si të përfunduara.

“Mashtrimi i shekullit e ka emrin Alban Hyseni. A ka fund kjo tallje me qytetarët e Gjilanit? Rruga Adem Jashari dhe Zijah Shemsiu jo vetëm që janë ndërtuar pa asnjë standard, por edhe në raportin vjetor të komunës paraqiten si të përfunduara?”

Sipas tyre infrastruktura nëntokësore për energjinë elektrike nuk është përfunduar fare, kabllot elektrike të parapara për t’u futur nëntokë, vazhdojnë të qëndrojnë njëjte, si më parë. Kështu duke ngritur pyetje se si mund të paguhet një projekt i parealizuar .

“Pika 6: Sipas Alban Hysenit, infrastruktura nëntokësore për energjinë elektrike është kryer. Gjendja faktike? ZERO punë. Nuk janë hapur as puseta, as kanale pra, është lënë hapësirë për mashtrime të ardhshme. Kabllot elektrike ishin të parapara për t’u futur nëntokë, por ato vazhdojnë të qëndrojnë njejtë, si më parë. Si mund të paguhet një projekt i parealizuar?”, thuhet në reagim.

Poashtu edhe për pikën 7 thuhet se projekti ka përfunduar dhe është paguar në vitin 2024 por ende ka prishje, ndreqje dhe punë të papërfunduara.

“Pika 7: Sipas Hysenit, projekti ka përfunduar dhe është paguar në vitin 2024. Jemi në fund të marsit dhe ende ka prishje, ndreqje dhe punë të papërfunduara. A thua qytetarët nuk e shohin që ende punohet e rrugët janë të hapura?”

“Ku është drejtësia? Pse askush nuk po merret me keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin e ekzekutivit të Gjilanit?”

Foto të publikuara nga gjendja aktuale e rrugëve dhe infrastrukturës nëntokësore për energjinë elektrike.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Gjilanit, rreth këtyre demantimeve nga opozita, për të marrë edhe një version të tyre, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

NA NDIQ NË FACEBOOK