Autoritetet perëndimore kanë shprehur shqetësim lidhur me rregullsinë dhe transparencën e hetimeve mbi rrëzimin e avionit të kompanisë Air India më 12 qershor. Edhe pse zyrtarisht deklarohet besim i plotë në aftësinë e hetuesve indianë për të zbardhur një nga katastrofat ajrore më të rënda të dy dekadave të fundit, pas kuintave ekziston frika se rezultati përfundimtar mund të ndikohet ndjeshëm nga faktorë politikë vendas.
Këtë e mëson gazeta Corriere della Sera nga dy burime të afërta me diskutimet mes Indisë (shteti përgjegjës për hetimin), Shteteve të Bashkuara (vendi prodhues i avionit) dhe Mbretërisë së Bashkuar (vendi i origjinës së shumë prej viktimave).
Boeing 787 i kompanisë Air India u rrëzua në periferi të Ahmedabad-it, rreth 30 sekonda pas ngritjes. Avioni ishte nisur drejt aeroportit Gatwick të Londrës. Për arsye ende të paqarta, mjeti fluturues – me 242 persona në bord – pati menjëherë probleme me motorët. Sipas vlerësimeve të para teknike, piloti dhe zëvendësi i tij duket se humbën fuqinë e motorëve qysh në fund të pistës, por në një shpejtësi shumë të madhe për të ndërprerë ngritjen.
Bilanci dhe kontrollet
Nga përplasja humbën jetën 270 persona: 241 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit (vetëm një person mbijetoi) dhe 29 të tjerë që ndodheshin në një mensë universitare mbi të cilën ra avioni. Menjëherë pas aksidentit, autoritetet indiane urdhëruan kontrolle të hollësishme mbi të gjithë flotën Boeing 787 të Air India-s, që është në pronësi të grupit Tata. Nga 33 avionë të këtij lloji, të paktën 26 janë inspektuar plotësisht, ndërsa katër ishin tashmë në proces mirëmbajtjeje.
Ekipi hetimor
Sipas protokolleve ndërkombëtare, hetimet duhen udhëhequr nga vendi ku ndodh aksidenti. Autoriteti përkatës në këtë rast është Zyra e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB) e Indisë. Në ekipin hetimor janë përfshirë edhe një specialist i mjekësisë aeronautike, një kontrollor fluturimi si dhe përfaqësues të Bordit Amerikan për Sigurinë në Transport (NTSB), në cilësinë e shtetit prodhues të avionit.
Vizita e drejtuesve të Boeing dhe GE Aerospace
Më 16 qershor – katër ditë pas katastrofës – në Nju Delhi mbërritën Stephanie Pope, përgjegjësja e divizionit të avionëve komercialë të Boeing, dhe Russell Stokes, CEO i GE Aerospace për motorët dhe shërbimet tregtare. Këto vizita, të konsideruara “të pazakonta” nga ekspertët, janë parë si sinjal i parë i tensioneve mes autoriteteve indiane dhe atyre perëndimore.
Dy kutitë e zeza
Tensionet nuk janë zbutur. Në bisedimet ndërmjet SHBA-ve dhe Evropës është shprehur shqetësim i madh për menaxhimin e dy “kutive të zeza” (që në fakt janë portokalli):
– Cockpit Voice Recorder (që regjistron zërat në kabinën e pilotimit)
– Flight Data Recorder (që ruan parametrat e fluturimit).
Menaxhimi i pajisjeve
Cockpit Voice Recorder u gjet më 13 qershor mbi çatinë e një ndërtese pranë vendit të aksidentit. Flight Data Recorder u gjet më 16 qershor mes mbetjeve. Megjithatë, të dyja pajisjet u dërguan në laboratorët e specializuar në Nju Delhi vetëm më 24 qershor, përkatësisht pas 11 dhe 8 ditësh nga momenti i gjetjes. Burimet perëndimore i kanë quajtur këto vonesa “të pazakonta” dhe pa ndonjë arsye të arsyeshueshme. Qeveria indiane njoftoi se pajisjet janë ruajtur në Ahmedabad nën mbikëqyrje 24 orëshe të policisë dhe me kamera sigurie.
Shkarkimi i të dhënave
Dy kutitë e zeza u transportuan nga Ahmedabad në Nju Delhi me një avion ushtarak. Njëra mbërriti në laboratorin e AAIB në orën 14:00 (me orën lokale), tjetra në 17:15. Mes mbrëmjes së 24 qershorit dhe 25 qershorit u nis procesi i nxjerrjes së të dhënave, të cilat – sipas një njoftimi zyrtar – u shkarkuan me sukses. Hetimi mund të zgjasë disa javë, madje edhe muaj. Corriere ka kontaktuar zyrtarët e AAIB, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
Shqetësimet e Perëndimit
Burimet perëndimore theksojnë se laboratorët në Nju Delhi janë të rinj – janë hapur më 9 prill – por theksojnë se është e pazakontë që India vendosi të përpunojë të dhënat vetë, në vend që të dërgonte kutitë e zeza në laboratorë më të specializuar si ata në Francë apo SHBA, të njohur për ekspertizën më të lartë.
Për më tepër, fakti që AAIB është në varësi të Ministrisë së Aviacionit Civil – dhe jo një organ i pavarur – ka shtuar më tej shqetësimet për mungesë autonomie në hetim.
Sugjerime të refuzuara
Sipas burimeve, autoritetet perëndimore kanë sugjeruar disa herë që të dhënat të analizohen në qendra me ekspertizë më të thelluar, për të shmangur interpretime të paqarta që mund të kompromentojnë përfundimet e hetimit. Madje ishte propozuar konkretisht laboratori francez BEA (Bureau d’Enquêtes et d’Analyses për sigurinë e aviacionit civil). Propozimi është refuzuar nga autoritetet indiane./ Corriere della Sera