Lajme
Shishe me verë dhe skulptura- Çka morën për dhuratë bordi i BQK’së?
Kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe anëtari i këtij bordi, Nexhat Kryeziu, kanë pranuar llojlloj dhuratash nga institucione të ndryshme financiare, me vlera të ndryshme.
Në regjistrin e dhuratave që ka parë Gazeta Insajderi, Bashkim Nurboja ka deklaruar se brenda vitit 2024 ka pranuar 12 dhurata. Duke filluar nga pijet alkoolike e deri tek statujat me motivë tradicionale.
Nurboja ka deklaruar se ka marrë dhuratë edhe nga banka turke ‘Zirat’, për të cilën së fundmi pati raportime për një transformim të kundërligjshëm të saj nga degë e huaj në shoqëri aksionare.
Pos tjerash, Nurboja ka pranuar dhurata nga kompanitë e sigurimeve, të destinuara për fundvit.
Në anën tjetër, Nexhat Kryeziu ka të deklaruara 11 dhurata të pranuara, të cilës janë të natyrës së njëjtë nga ato që ka pranuar edhe kryetari i bordit.
Dy anëtarë tjerë të bordit të BQK’së, Nora Latifi Jashari dhe Arta Hoxha nuk kanë deklaruar fare dhurata të pranuara.
Çka deklaroi guvernatori, e çka zv. guvernatori?
Vetëm për këtë vit, Ahmet Ismaili i ka të deklaruara mbi 20 shishe verë që ka pranuar si pako të fundvitit.
Dhurata guvernatorit i kanë bërë edhe kompanitë e sigurimeve. Një shishe verë, lapsa kimik dhe fletore me logo të institucionit për fundvit i ka dërguar kompania e sigurimeve “Illyria”. Dhuratë të njëjtë i ka bërë edhe “Eurosig” e “Sigma”.
Ndërkaq kompania e sigurimeve “Siguria” ia ka dhuruar Ismailit një helmetë nga qeramika, vlerën e së cilës numri një i BQK’së s’e ka bërë të ditur.
Në një vizitë për rastin e një emërimi, kompania e sigurimeve “Sigal” e ka shpërblyer guvernatorin me një veshje tradicionale arbreshe nga Italia.
Ismaili ka pranuar edhe monedha të argjendit nga institucione e homologë të tij në vlerë nga 10 deri në 30 euro.
Gazeta Insajderi ka marrë vesh përmes burimeve të saja se dhuratë Ismaili në janar të këtij viti ka pranuar nga një autosallon, dhuratë kjo që pritet ta supozojë në formularin për vitin e ardhshëm.
Zëvendësguvernatori për mbikëqyrje financiare, Milot Cakaj, njëherësh edhe shok i studimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se çfarë ka pranuar për dhurata përgjatë vitit që shkoi.
Ai i ka të deklaruara si dhurata 10 verëra dhe një raki që ka pranuar si dhuratë.
Në mesin e dhuruesve, përveç institucione financiare dhe mikrofinanciare, janë edhe kompanitë e sigurimeve. Cakajn e kanë “shpërblyer” me dhurata “Sigal”, “Siguria”, “Eurosig” e “Scardian”.
Madje, kompania e sigurimeve “Siguria” ia ka dorëzuar një pjatë punëdore dhe përkrenaren e Skenderbeut.
Ndërkaq institucioni i Trustit për fundvit ia ka dhuruar Cakajt një punim nga qeramika.
Ai i ka të deklaruara gjithsej 18 dhurata. /Insajderi.org/