Bota
Pas paqes, Trump lëshon ‘silurën’ ndaj Iranit: Ju bombardoj sërish nëse…
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar publikisht se do të ndërmarrë bombardime të reja ndaj Iranit nëse Teherani vazhdon programin e pasurimit të uraniumit.
Gjatë një konference për shtyp, Trump tha se nuk do të kishte asnjë mëdyshje në marrjen e këtij vendimi nëse shërbimet e inteligjencës amerikane arrijnë në përfundimin se Irani po avancoi me qëllime të dyshimta drejt prodhimit bërthamor.
“Nëse Irani vazhdon me pasurimin në nivele shqetësuese, urdhri për bombardim do të jepet pa hezitim,” deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se durimi i SHBA-së ndaj veprimeve të Teheranit është në fund.
Trump iu përgjigj edhe deklaratës së Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili kishte pohuar se Irani e kishte fituar luftën. Sipas presidentit amerikan, pretendimi është i pavërtetë:
“Pësove një disfatë dërrmuese. Edhe Izraeli u shkatërrua, të dy palët u shkatërruan,” tha ai me tone të ashpra.
Lidhur me armëpushimin e arritur më herët këtë javë, Trump u shpreh se ishte koha e duhur për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se paqja është ende e mundur, por vetëm nëse Irani ndalon provokimet dhe pasurimin bërthamor.
Deklarata e presidentit vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme dhe në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim përshkallëzimin e mundshëm të krizës.