Lajme
Pas kërcënimit ndaj Presidentes Osmani, reagon ashpër Zotëria i Parë: Kërcënimet janë pasojë e mosveprimit – dhuna po bëhet sistem
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë përmes një mesazhi të dërguar në adresën elektronike të Presidencës.
Kërcënimi i drejtpërdrejtë ndaj së parës së shtetit ka shkaktuar reagime të forta, përfshirë edhe atë të Zotërisë së Parë, Prindon Sadriu.
Përmes një postimi në Facebook, Sadriu ka dënuar ashpër këtë akt, duke theksuar se nuk është hera e parë që presidentja kërcënohet, por një nga dhjetëra raste të ngjashme. Ai ka akuzuar institucionet për mungesë veprimi dhe përgjegjësie, duke e quajtur këtë situatë si një pasojë të drejtpërdrejtë të mosndëshkimit.
“Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë. Janë sistem. Janë strategji. Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit. Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë,” ka shkruar Sadriu mes tjerash.
Reagimi i plotë:
Dhjetëra kërcënime publike me jetë ndaj Presidentes së dhe familjes së saj.
Jo një. Jo dy. Dhjetëra.
Të përsëritura, të drejtpërdrejta, të qarta. Specifike.
Nga profile me emra e mbiemra, anonime, por edhe nga zëra të njohur, me emër e mbiemër.
Në rrjete sociale. Në komente. Në studio televizive.
- “Duhet eliminuar.”
- “Ka ardhur koha për fundin e saj.”
“Një plumb e zgjidh.”
Këto nuk janë fjalë të rastësishme.
Janë nxitje të hapura për dhunë.
Janë thirrje që shënjestrojnë jo vetëm një individ, por vetë institucionin e Presidentes.
Dhe përveç kërcënimeve?
Shpifje të panumërta.
Të fabrikuara me qëllim të qartë:Për të njollosur personalitetin.
Për të legjitimuar urrejtjen.
Por mbi të gjitha,Për të krijuar klimën ku dhuna perceptohet si “e merituar”.
Kur këto përsëriten, nuk janë më thjesht fjalë.
Janë sistem. Janë strategji.
Dhe mbi të gjitha: janë pasojë direkte e mosveprimit.
Sepse askush nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë. Asnjë veprim. Asnjë përgjegjësi.
Dhe kur institucionet përkatëse heshtin, dhuna natyrshëm që flet.
Kur institucionet përgjegjëse nuk mbrojnë, kërcënuesit ndihen të sigurt.
Sot është Presidentja.
Nesër dikush tjetër?
Rreziku është i qartë.
Heshtja është bashkëfajësi.
Koha për veprim ka kaluar qëmoti.